KUJDES! PAMJE TË RËNDA/ Momenti ku ekzekutohet brenda bankës kleriku i lartë iranian
Një klerik i njohur iranian, anëtar i Asamblesë së Ekspertëve u vra gjatë një sulmi me armë teksa po qëndronte në pritje brenda një banke.
Ajatollahu Abbasali Soleimani ndërroi jetë në një spital në Babolsar të provincës Mazandaran si pasojë e plagëve të marra gjatë sulmit.
Sipas autoriteteve, autori i sulmit ishte një roje e bankës, teksa motivet e krimit janë ende të paqarta.
Ajatollahu Soleimani është një ndër 88 klerikët e Asamblesë së Ekspertëve, e cila cakton Liderin Suprem. Ky këshill gjithashtu monitoron performancën e tij dhe teorikisht mund ta heqë nga posti nëse ai është i paaftë të përmbushë detyrat e tij
Soleimani, më herët ka shërbyer si përfaqësues personal i liderit suprem Ayatollah Ali Khamenei në provincën e Sistan-Baluchistan, përpara se të dorëhiqej në vitin 2019 pas 17 vitesh në këtë post.
Momenti i vrasjes së klerikut është filmuar nga kamerat e sigurisë, ku shihet Ajatollahu Soleimani i ulur në një karrige në bankë teksa pret radhën dhe roja e sigurisë që i afrohet qetësisht për të zbrazur një karikator mbi trupin e tij.
Autori më pas u çarmatos nga dy persona të tjerë që mendohet të jenë po ashtu punonjës të bankës.