Kovaçevski pranon takim me transportuesit privat por së pari t’i lirojnë rrugët

Shpërndaje

Kryeministri Dimitar Kovaçevski sot deklaroi se do ta pranojë kërkesën e transportuesve privatë nga Shkupi për takim, por pasi që të krijojnë kushte për dialog dhe pasi që t’i heqin bllokadat nga rrugët e kryeqytetit.

“Mund të them: ‘po’, jam person që do të takohem me të gjithë ata që duhet, por jo nën presion dhe jo nën shantazh. Gjëja e parë që duhet të bëjnë është t’i lirojnë rrugët dhe t’ua kthejnë qytetarëve të qytetit të Shkupit, pronë e të cilëve janë ato rrugë, në mënyrë që qyteti të funksionojë. Së dyti, në atë takim duhet të jenë të pranishëm edhe organet kompetente nga Qyteti i Shkupit. Pse? Sepse duhet të merreni me ta, sepse Qeveria nuk ka kompetencë në fushën e transportit publik në qytetin e Shkupit. Dhe së treti, bëhet fjalë për marrëdhënie debitore-kreditore ndërmjet ndërmarrjeve private dhe ndërmarrjes publike nën kompetencën e Qytetit të Shkupit dhe të gjitha ato supozime duhet të merren parasysh”, theksoi Kovaçevski në përgjigje të pyetjes së gazetarëve në konferencën e sotme për media në Qeveri dedikuar buxhetit të MPPS-së për vitin 2023.

Ai shtoi se kur do të plotësohen kushtet për dialog pa presion, të bazuar në fakte dhe me përfshirje të të gjithëve që janë kompetentë që ta zgjidhin problemin, atëherë mund të ketë takim me transportuesit e autobusëve privatë.

Kryeministri potencoi se është kundër marrjes së ingerencave Qytetit të Shkupit, sepse kjo do të nënkuptonte kthimin në procesin e decentralizimit.

Transportuesit e autobusëve privatë, të cilët protestojnë me bllokadë në bulevardin “Ilinden” në Shkup, pasi nuk morën përgjigje për kërkesën për takim me kryetaren e Shkupit, Danella Arsovska, dje kërkuan që të priten nga kryeministri Dimitar Kovaçevski. Përfaqësuesi i shoqatës së transportuesve privatë “Slloboda prevoz”, Kemal Muriq dje deklaroi se shpresojnë se do të pranohen në bisedë me kryeministrin Kovaçevski, në të cilin do të flitej për situatën aktuale me transportin publik urban. Nëse nuk realizohet takimi, sipas tij, ka mundësi që të radikalizohen protestat.

Transportuesit privatë nga “Slloboda prevoz” dhe “Makeksepres” filluan me bllokada në kryeqytet më 28 nëntor kur me rreth 30 autobusë në udhëkryqin te Mavrovasja, gjegjësisht bulevardet “Goce Dellçev” dhe “Kërste Petkov Misirkov”, kërkuan t’iu paguhen borxhet që të mund të fillojnë përsëri me punë.

Pasi nuk kishte rezultat, transportuesit privatë më 5 dhjetor të këtij viti bënë bllokadë më të madhe me vendosjen e rreth 200 autobusëve në disa pika kryesore në kryeqytet, gjegjësisht udhëkryqet para QT Mavrovasja, Kryqi i Kuq, si dhe bulevardi “Ilinden”. Të premten i zhbllokuan udhëkryqet te Mavrovasja dhe Kryqi i Kuq dhe mbetën në protesta vetëm në bulevardin “Ilinden” në rrethinën e Qytetit të Shkupit.