Kujtohet eksodi i 1999 në Kukës, qytetarët u përzunë me dhunë nga Kosova prej serbëve
Çdo 16 prill qytetarët e Kosovës rikthehen në Kukës për të përkujtuar eksodin e vitit 1999 ku u zhvendosën pas argërimint dhe dhunës së forcave serbe.
Xaje Mustafa nga Mitrovica ish i burgosur politik me106 ditë në pranverën e 99 në burgjet serbe. Në muret e muzeut të Kukësit ai sheh foton e tij të dikurshme ku mban në dorë fotot e dy fëmijëve të tij për fatin e të cilëve nuk dinte asgjë. Mes dhimbjesh Mustafa tregon vuajtjet e atyre ngjarjeve.
“Këtë foto e ka bërë një gazetar amerikan pas 2 apo 3 muajsh më ka vizituar dhe më ka bërë këtë foto. Mua më kthen shumë pas kjo foto dhe është e dhimbshme”, ka thënë ai.
Riza Vata është një prej qytetarëve të Kukësit që 24 vite më parë hapi dyert e banesës për shqiptarët e Kosovës. Vata kujton që strehoi 33 persona në shtëpinë e tij që ishte vetëm 70 metra katrore.
“33 veta janë me listë, shtëpia ishte 2 dhoma një kuzhinë, sesi kanë fjetur ato njerëz se di. Por ato përherë kanë qenë mirënjohës për mua”.
Pritja e qytetarëve të Kosovës këtë vit bëhet nga bashkia e Kukësit. Në këtë ditë ata shoqërohen nga ambasadori Qemal Minxhozi, i cili rrëfen që shqiptarët e Kosovës nuk e kanë harruar mikpritjen
“Asnjëherë populli i Kosovës nuk e ka harruar mbështetjen që i ka dhënë Kukësi para 24 vitesh”, ka thënë ai.
24 vite më parë gjatë këtij eksodi në Kukës mbërritën rreth 700 mijë qytetarë të Kosovës. Një pjesë e tyre u strehua në këtë qytet ndërsa pjesa tjetër u zhvendosën në qytete të tjera të Shqipërisë, deri në 13 qershor 1999, ditën kur Kosova u çlirua nga trupat tokësore të NATOS dhe Ushtria Clirimtare e Kosovës.