Lidhjet ruse të Kryemadhit, Rama: Drejtësia e re duhet ta adresojë me urgjencë! “Peshkaqenët” kanë hyrë në procesin e zgjedhjeve

Shpërndaje

Kryeministri Edi Rama e quajti urgjencë kombëtare dhe ndërkombëtare publikimin e fakteve që tregojnë se ish-kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka lidhje ruse.

Ai iu drejtua organeve të drejtësisë që të nisin menjëherë hetimet ndaj saj apo personave të tjerë që janë të përfshirë në lidhje ruse.

Kjo nuk është më punë peshqish, por peshkaqenësh, sipas kreut të qeverisës, i cili thekson se kanë hyrë në territorin e vendimmarrjes dhe në procesin e zgjedhjeve duke paraqitur kandidatë.

Rama: Është një pyetje që është e ditës për opinionin publik dhe e vërteta e hidhur është që po këto rublat paskan qenë shejtan i madh, na kanë marrë shokë e shoqe në qafë, por përtej asaj që mund të komentojmë, Banka Botërore nuk hyn këtu, por drejtësia e re duhet t’i japë një përgjigje se është urgjencë kombëtare dhe ndërkombëtare, ne jemi vend i natos dhe kjo përzierje, jo me konto jo me ofshore me lidhje që çojnë para në drejtim të partive që duan të sjellin lirinë është një problem i madh, drejtësia e re duhet ta adresojë me urgjencë. Me rëndësi janë edhe arkat me peshk, edhe ato nuk duhet marrë dhe duhen dënuar, por kjo nuk është më punë peshqish por peshkaqenësh që kanë hyrë në territorin e vendimmarrjes dhe që kanë hyrë në procesin e zgjedhjeve duke paraqitur kandidatë dhe kandidate peshkaqenë, drejtësia duhet të merret me këtë punë.

Kujtojmë se Top Channel publikoi fakte autentike të cilat mbërritën në redaksitë tona nga burime anonime dhe që flasin për implikimin e ish kryetares së LSI dhe deputetes së Partisë së Lirisë në lidhje ruse.

Këto fakte janë faturat bankare, llogaritë bankare në disa banka në Zvicër dhe Portugali e Qipro nga të cilat Kryemadhi ka marrë dhe ka dërguar para në kompani offshore që ishin në zotërim nga aksionerët kryesorë të lidhur ngushtësisht me politikat dhe me vetë presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, partinë e tij.