MaqedoniTop Lajme

Qytetarët blejnë speca me copë, zyrtarët s’e kanë problem!

Shpërndaje

Sindikalistët në Maqedoninë e Veriut theksojnë se rritja e pagës për rreth 35 euro, për 80 mijë të punësuar në sektorin publik, që paraqet gjysmën e numrit të të punësuarve në Maqedoninë e Veriut, nuk është kurrfarë ndihmese për të shtruar një sofër festive gjatë festave të këtij muaji, atë të Pashkëve dhe Bajramit.

Nga muaji mars paga minimale në Maqedoninë e Veriut shënon rritje për 2 mijë e 175 denarë(rreth 35 euro). Ndërsa, pensionet rriten për njëmijë denarë(rreth 15 euro). Por, njëkohësisht Gjykata Kushtetuese i ka hapur rrugë rritjes së pagës së 700 zyrtarëve të lartë të shtetit, për 78 për qind.

Gjykata Kushtetuese më 23 mars mori vendim, me të cilin shfuqizoi dy nene nga Ligji për paga dhe kompensime të funksionarëve, kjo i hapi rrugë rritjes së pagave të rreth 700 zyrtarëve të lartë të shtetit, për 78 për qind.

Duke qenë se vendimi u mor më 21 mars dhe hyri në fuqi dy ditë më vonë, zyrtarët e lartë të shtetit morën pagë më të lartë për vetëm 8 ditët e fundit të muajit mars.

Nga muaji i ardhshëm, kur paga e zyrtarëve do të llogaritet me koeficient të rritur, deputetët të cilët deri më tani merrnin rreth 60 mijë denarë (rreth 1000 euro), do të marrin plus 46.800 denarë, me çka paga e tyre do të arrijë në 1. 750 euro.Sindikalistët thonë se nuk është aspak korrekte që paga e zyrtarëve të lartë të shtetit të pësojë rritje prej 78 për qind në kohë krize, ndërkohë që qytetarët, edhe ata të cilët janë të punësuar, mbeten në kufijtë e varfërisë.

Tërpe Deanovski, kryetar i Sindikatës së Punëtorëve të Administratës, Organeve Gjyqësore dhe Shoqatave të Qytetarëve, për Radion Evropa e Lirë thotë se tavolina gjatë festave për pjesën më të madhe të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut mbetet jashtë zakonisht e varfër.

“Dy paga e gjysmë minimale nuk mjaftojnë për të plotësuar shportën e konsumatorit, për të siguruar produktet bazë për një familje katër anëtarëshe, me kusht që ajo të ketë veturë”, thekson Deanovski.

Ai shton se zyrtarët e lartë të shtetit me një pagë të tyren mund të mbulojnë shpenzimet e 2.5 familjeve në vend.

Qytetarët janë shprehur të revoltuar nga rritja e lartë e pagave të zyrtarëve të shtetit.

Dragan Stojkovski me ironi thotë se me rritjen e pagës për 2 mijë denarë, tani do të mund të blejë mish për festën e Pashkëve.

“Tash 700 denarë ka arritur një kilogram mish, pra do të kem për t’i gostitur familjarët një herë në muaj, jo siç gostiten zyrtarët, po nejse, një ditë në muaj të shijojmë yndyrën”, thotë ai.

Hysniu, një pensionist, thotë se me rritjen e pensionit për 1 mijë denarë mund të blejë pak domate dhe speca për sofrën e iftarit.

“Po i blej me copë specat, e shihni. Shtatë anëtarë jemi, pra 100 denarë për të marrë nga një spec për secilin. Ku t’i çosh më parë ato 1 mijë denarë”, thotë Hysniu.

Zdravko Saveski, aktivist për të drejtat sociale, thotë për Radion Evropa e Lirë, se pagat e ulëta bëjnë që pjesa më e madhe e të rinjve fare të mos kërkojnë punë dhe të ardhmen ta shohin jashtë vendit.

“Pagat për pjesën më të madhe të vendeve të punës, qofshin ato në administratën e shtetit apo në sektorin privat, janë shumë të ulëta për të motivuar të rinjtë që të paraqiten në tregun e punës, andaj të gjithë ata që nuk arrijnë të marrin pozita përmes çelësit partiak, të ardhmen e shohin jashtë vendit”, thotë Saveski.

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, megjithëse ka kujtuar se vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të respektohen, ai i ka bërë thirrje Qeverisë që të gjejë mekanizma që pagat e funksionarëve t’i mbajë në nivelin e njëjtë përmes uljes së koeficientëve ose të bazës.

Ndërkohë, zyrtarët e lartë të shtetit kanë dalë me qëndrime të ndryshme për sa i përket rritjes së pagës së tyre. Një pjesë kanë dalë pro-vendimit me arsyetimin se burimi i vetëm i pasurisë për politikanët duhet të jetë paga dhe ajo duhet t’i plotësojë nevojat e tyre. Ndërsa, pjesa tjetër kanë theksuar se do të heqin dorë nga rritja e pagës pasi vendi ndodhet në kushte krize.

Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, autoritetet zyrtare bënë të ditur se mund të korrigjohen koeficientët dhe të mos ketë paga kaq të larta, por tani për tani nuk ka asgjë konkrete se kur do të ndodhë ky korrigjim.

Nga Qeveria kanë theksuar se zgjidhja do të kërkohet në ligjin e ri të pagave, por për miratimin e tij nuk është caktuar ndonjë afat kohor.

Vendimi për rritjen pagave të zyrtarëve të shtetit do të bëhet për rreth 700 zyrtarë, përfshirë presidentin e shtetit, kryetarin e Kuvendit dhe kryeministrin, ministrat, zëvendësministrat, deputetët, kryetarët e komunave, drejtues të institucioneve shtetërore etj. Ata tani do të marrin paga më të larta për shuma nga 800 deri në 1500 euro.