RajoniTop Lajme

Demonstrimi: Si veprohet me votimin elektronik (Foto)

Shpërndaje

Këtë të enjte në Kashar u testua procesi i votimit dhe numërimit elektronik që do të aplikohet në Elbasan, Kamëz dhe Vorë për zgjedhjet e 14 Majit. Gazetarja e Klan News, Klesiana Omeri, ishte e pranishme aty dhe testoi një nga pajisjet për t’u demonstruar në këtë mënyrë edhe qytetarëve se si funksionon ajo.

Në foton më poshtë është pajisja e votimit elektronik.

Votuesve do t’u shfaqet fillimisht fleta e votimit për kandidatët për kryetarë bashkie.

Qytetari mund të zgjedhë kandidatin e tij të preferuar duke prekur katrorin e bardhë anash emrit të tij.

Më pas, votuesi jep “konfirmo votën”.

Më pas, shfaqet një tabelë ‘konfirmo’ ose ‘ndryshoni votën tuaj’. Nëse votuesi ka klikuar gabimisht ai mund të klikojë “ndrysho” dhe të kthehet sërish tek fleta e votimit për të klikuar tek kandidati që do të votojë. Nëse votuesi nuk ka dyshime për votën e tij i jep “konfirmo”.

Pasi i ka dhënë “konfirmo” votimit për kandidatin për kryetar bashkie, më pas shfaqet fleta e dytë e votimit me partitë për këshillat bashkiakë.

Votuesi zgjedh partinë që do të votojë.

Më pas, klikohet “printo votën”.

Pas kësaj, ekrani jep informacionin që vota po printohet.

Votat e qytetarit kalojnë në një kuti që është e fshehtë dhe që nuk ka asnjë mundësi për të ndërhyrë në të. Votat kalojnë aty automatikisht.

Gazetarja Klesiana Omeri raportoi se nga shpjegimi i anëtarëve të KQZ do të ketë dy vota të printuara që do të hidhen automatikisht në kuti, një për kandidatët dhe një për këshillin bashkiak.

*Shënim: Emrat e shënuara në pajisjen e votimit janë vendosur nga KQZ dhe nuk kanë lidhje me numrat apo emrat e subjekteve zgjedhore që do të votohen më 14 Maj. Ato janë vënë për efekt demonstrimi në mënyrë që qytetarët që do të votojnë elektronikisht ta kenë më të lehtë në votimet e 14 Majit. Edhe zgjedhjet e gazetares janë rastësore vetëm për efekt demonstrimi. /tvklan.al