Maqedoni

Kovaçevski-Mickoski, takim për integrimin europian

Shpërndaje

Kryeministri Dimitar Kovaçevski njoftoi se do të ftojë në takim kryetarin e VMRO- DPMNE-së, Hristijan Mickoski. Kovaçevski theksoi se kjo do të ndodhë në dhjetë ditët e ardhshme dhe se në tavolinë do vendosen dy tema me kreun e opozitës.

“Tema e parë do të jetë marrja e vendimeve të nevojshme për integrimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian dhe e dyta do të jetë harmonizimi i pikëpamjeve mbi marrëdhëniet me të gjitha vendet fqinje të Republikës së Maqedonisë së Veriut”, deklaroi Dimitar Kovaçevski – Kryeministër.

VMRO-DPMNE u përgjigj se kur bëhet fjalë për interesat kombëtare dhe shtetërore të Maqedonisë, kryetari i partisë është i gatshëm të flasë në çdo kohë.

“Nëse ka dëshirë për unitet kombëtar dhe dëgjim të zërit të shumicës, ne pranojmë takim liderësh në të cilin, ndër të tjera, duhet të shohim se çfarë do të bëhet në periudhën pas dështimit të ndryshimeve kushtetuese dhe të ardhmen e qytetarëve që duhet të sigurohen”, thanë nga VMRO-DPMNE.

Dje, grupi punues për ndryshime kushtetuese, në të cilin opozita nuk mori pjesë, i finalizoi projekt-amendamentet, ndërsa kryeministri Kovaçevski duke komentuar procesin për ndryshimin e Kushtetutës, sot tha se projekt-iniciativa e tyre nga e hëna do të arkivohet në Qeveri. Ai nuk specifikoi se kur do të shqyrtohet propozimi në seancë qeveritare. Jozyrtarisht, kjo pritet të ndodhë në të njëjtën ditë, dhe pastaj propozim-iniciativa do të paraqitet në Kuvend. Kovaçevski theksoi se teksti i hartuar nga grupi i punës mbi ndryshimet kushtetuese i demanton pretendimet e opozitës.

“Të gjitha gënjeshtrat që u thënë gjatë dy ose tre javëve të fundit ranë përsëri në ujë, sepse edhe kryetari i opozitës tha se ne do të bëhemi shtet binacional, shtet trinacional, pastaj shtet i një populli, disa kombeve dhe disa komuniteteve”, shtoi Dimitar Kovaçevski – Kryeministër.

Kryeministri përsëri u bëri thirrje të gjithëve që të mbështesin qëllimin strategjik të vendit për anëtarësim në Bashkimin Evropian.