KSHZ-ja i shpalli rezultatet përfundimtare nga rrethi i parë i zgjedhjeve

Shpërndaje

Gjashtë ditë pas zgjedhjeve lokale, KSHZ-ja i shpalli rezultatet përfundimtare. VMRO-DPMNE në rrethin e parë ka fitore të pastra në 21 komuna, mes të cilave edhe në komunat e Shkupit, si në Aerodrom, Gazi Babë, Butel, Gjorçe Petrov dhe në Kavadar e Prilep.

VMRO-DPMNE në rrethin e parë fituan: Aerodrom, Bosillovo, Butel, Veles, Vinicë, Gazi Babë, Gjorçe Petrov, Gradsko, Zrnovc, Ilinden, Jegunovc, Kavadar, Karbinci, Mogilla, Negotinë, Novaci, Petrovec, Prilep, Sveti Nikollë, Sopishte, Shtip.

LSDM në rrethin e parë fituan nëntë kryetarë komunash edhe atë në: Berovë, Bogdanci, Vallandovë, Dellçevë, Dojran, Kriva Pallankë, Krivogashtani, Krushevë, Strumicë.

BDI në rrethin e parë fitoi në Likovë dhe Saraj ndërsa Aleanca dhe Alternativa nuk morën asnjë komunë në rrethin e parë. Në rrethin e dytë, gjegjësisht më 31 tetor do të votohet në 43 komuna plus në Qytetin e Shkupit. Ndër garat më interesante do jenë ajo për Tetovën mes Besës dhe BDI-së, në Gostivar mes Aleancës dhe Alternativës dhe BDI-së, në Çair mes BDI-së dhe Aleancës dhe Alternativës dhe në Strugë mes Aleancës dhe Alternativës dhe BDI-së. LSDM dhe VMRO do të garojnë për Qytetin e Shkupit, Manastirin, Ohrin, Gjevgjelinë dhe disa komuna tjera. KSHZ paralajmëroi zgjedhje të reja për në Qendër Zhupë dhe Mavrovo dhe Rostushe pasi në rrethin e parë më 17 tetor nuk kanë dalë minimum një e treta e votuesve të regjistruar në listën e zgjedhësve.

Do ta informojmë Qeverinë e Maqedonisë së Veriut se nuk është plotësuar pragu ligjor i paraparë me kodin zgjedhor në afat prej 15 ditëve dhe ajo më pas duhet ta informojë Kuvendin për të vepruar, gjegjësisht të shpall zgjedhje të reja -deklaroi Aleksandar Dashtevski, kryetarë i KSHZ-së.

Megjithatë në KSHZ ka edhe parashtresa. Rezultatet përfundimtare për komunat ku ka ankesa KSHZ do t’i shpallë pas afatit për dorëzimin e ankesave në gjykatën administrative. Ndonëse në Kisella Vodë VMRO-ja fitoi që në rrethin e parë, por për këtë komunë ka parashtresa, prandaj rezultati ende nuk mund të zyrtarizohet. Parashtresa ka edhe për Dibrën, Pllasnicën dhe Shuto Orizaren, ku megjithatë do të ketë edhe rreth të dytë të zgjedhjeve.