MaqedoniTop Lajme

Ndryshime kushtetuese pa heqjen e 20%?! Kovaçevski: Të gjitha do të votojnë, jo vetëm partitë shqiptare

Shpërndaje

Në propozim iniciativën e Grupit të punës për ndryshimet kushtetuese, ndryshimet janë në pjesën e Preambulës duke shtuar disa popuj, përkatësisht pas popullit boshnjak, vendosen fjalët populli bullgar, populli kroat, populli malazez, populli slloven, populli hebre dhe populli egjiptian.

Ndryshimi i dytë është në pjesën e diasporës dhe në amendamentin 34 që u zëvendësua me nenin 49 dhe amendamenti 2, ku pas popullit boshnjak, vendosen popujt e tjerë që u përmendën më lartë në tekst.

Megjithatë, në këtë fazë, kërkesa e partive shqiptare për fshirjen e 20% për gjuhen shqipe nuk do të trajtohet. Vetëm është biseduar mbi këtë çështje ndërsa kryetarja e Grupit të punës për ndryshimet kushtetuese që para disa ditësh në Klik Plus deklaroi se ky grup nuk ka mandat për këtë çështje. Thotë se në të ardhmen kjo dhe ndoshta edhe disa iniciativa të tjera do të trajtohen.

“Kushtetuta patjetër do të hapet. Dhëntë Zoti që të hapet Kushtetuta para aderimit në BE dhe atëherë me shumë gjasa do të ketë edhe propozime të tjera të disa personave që mendojnë se duhet të vendosen në Kushtetutë. Ka probleme brenda Kushtetutës, i njëjti nuk është libër që ka zgjidhur gjithçka, përkundrazi, megjithatë për këtë mund të flasim në mënyrë shtese”, tha Margarita Caca Nikollovska, kryetare e gp për ndryshimet kushtetuese.

Edhe pse partitë shqiptare e kërkuan fshirjen e 20%, kryeminuistri Kovaçevski shprehet i bindur se të gjithë do të votojnë për ndryshimet kushtetuese, pa dallim që çështja për fshirjen e 20% nuk do të jetë pjesë e këtyre ndryshimeve.

“Besoj se jo vetëm partitë shqiptare, por të gjitha partitë politike dhe deputetë, do ta përkrahin këtë vendim në Kuvend, me qëllim që shteti të vazhdojë drejt realizimit të qëllimit të dytë strategjik pas anëtarësimit në NATO, përkatësisht drejt anëtarësimit në BE. Ky nuk është proces i vetëm një njeriu, ky është proces për të gjitha partitë politike dhe për të gjithë qytetarët e këtij shteti”, deklaroi Dimitar Kovaçevski, kryeministër.

Vitin e kaluar në shtator, Arben Taravari tha se tetë deputetët e partisë së tyre do t’i përkrahin ndryshimet kushtetuese me kusht që termi 20% të hiqet nga Kushtetuta. Por, asaj kohe ishin në opozitë. Tani janë në koalicionin qeveritar. Mbetet në kërkesën, kërkon respekt megjithatë nuk kushtëzon.

“Me z. Kovaçevski kur kemi biseduar për hyrjen tonë në Qeveri, e hapëm këtë çështje, megjithatë nuk ka pasur premtime, kjo është pjesë e marrëveshjes, ne kemi thënë, do të ishte mirë..”, pohoi Arben Tarravri nga ASH.

Taravari tha se edhe pse Grupi i punës nuk ka mandat për të miratuar një kërkesë të këtillë, shton se ende nuk është vonë, për shkak se kur të dorëzohet iniciativa për ndryshimet kushtetuese për vendosjen e bullgarëve dhe popujve të tjerë, partia e tyre ose një parti tjetër, mund të parashtrojnë amendament me të cilin gjatë hapjes së Kushtetutës do të futet edhe pika për fshirjen e 20%.