Osmani: Kosova ka shumë presion nga ndërkombëtarët, Serbia po merret me të mirë e po përkëdhelet

Shpërndaje

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka thënë se presioni më i madh nga ndërkombëtarët lidhur me Marrëveshjen e Ohrit bie mbi Kosovën, e që sipas saj është për të ardhur keq që ndodh një gjë e tillë.

E para e vendit u shpreh se Kosova ani pse Kosova është vend pro evropian e amerikan dhe shembull i demokracisë në rajon e përtej, është Serbia ajo e cila po merret me të mira nga ndërkombëtarët, siç e theksoi ajo “po përkëdhelet”.

“Ka shumë presion, ka presion më shumë në raport me Kosovën, sesa në raport me Serbinë, që është për të ardhur keq sepse Kosova është vend 100 % pro evropian, pro amerikan, vend i sundimit të ligjit, është shembull i demokracisë në rajon dhe përtej. Tani në raportet e fundit jemi në top treshen botërore sa i përket zhvillimit të sundimit të ligjit, kurse Serbia një shtet autokratik që e bashkërendit politikën e saj me Rusinë, pak a shumë po merret me të mirë, kështu po përkëdhelet”, tha Osmani.

Presidentja Osmani gjithashtu tha se e kupton interesi i ndërkombëtarëve është ta shkëpusin Serbinë nga Rusia, por sipas saj kjo nuk do të thotë që gjithë presioni të bie mbi shtetin tonë.

Tutje, ajo tha se Kosova duhet të sigurohet në çdo hap që hedh për të mos prekur funksionalitetin, territorin dhe sovranitetin e shtetit, pasi mund të ketë probleme edhe për gjeneratat pasardhëse.

“Tash i kuptojmë ka interesa shumë më të mëdha që Serbinë ta shkëpusin nga Rusia, është interes edhe gjeopolitik, por kjo nuk do të thotë që presioni kryesisht të fokusohet te Kosova, sepse janë bërë shumë koncesione përgjatë viteve dhe duhet të sigurohemi që cilido hap përpara që do bëhet nuk e prek funksionalitetin e shtetit tonë, territorin dhe sovranitetin tonë, se pastaj do t’i lëmë edhe fëmijët tanë e nipat e mbesat tona me u marrë me të njëjtat probleme”, tha presidentja e vendit në një intervistë dhënë për emisionin “Radar”.