MaqedoniTop Lajme

Pendarovski nënshkroi Dekretin mbi ligjet për ndërtimin e korridoreve 8 dhe 10D

Shpërndaje

Presidenti Stevo Pendarovski njoftoi se ka nënshkruar Dekretin për 5 ligjet për ndërtimin e korridoreve 8 dhe 10D, shkruan TV21. Pendarovski tha se për dilemën në Ligjin për Marrëdhënie Pune është konsultuar me ekspertë dhe ish gjykatës, pas çka ka marrë vendim për nënshkrimin e Dekretit.

“Teksti i ri i ligjit nuk e përmban formulimin 60 orë pune në javë. Ditëve të fundit kam bërë një varg konsultimesh në lidhje me tekstin e ri të ligjit me ekspertë të së drejtës së punës, me ish gjykatës të Gjykatës Kushtetuese dhe këshilltarët në kabinetin tim, pas përmbledhjes së mendimeve të ndryshme mora vendim ta nënshkruaj dekretin për miratimin e këtij ligji dhe miratimin e 4 ligjeve tjera”, deklaroi Pendarovski.

Ndryshe, Kuvendi të premten në vazhdimin e seancës së 115-të votoi ndryshimet dhe shtesat në pesë ligjet që lidhen me zbatimin e Kontratën me “Behtel dhe Enka” për ndërtimin e katër seksioneve të autostradës në korridoret 8 dhe 10d.

Me 60 vota “pro” dhe 43 “kundër” u miratua Ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për marrëdhënie pune, me 62 vota “pro” dhe 43 “kundër” Ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për shpronësim, me 63 vota për” dhe 43 “kundër” Ligji për ndryshim dhe plotësim të Ligjit për ndërtim, me 62 “për” dhe 44 “kundër” Ligji për ndryshim dhe plotësim të ligjit për planifikim urbanistik, ndërsa me 63 “për” dhe 43 “kundër” Ligji për ndryshim dhe plotësim të ligjit për përcaktimin e interesit publik dhe nominimin e partnerit strategjik për realizimin e projektit për ndërtimin e Korridorit 8 (pjesa: Tetovë – Gostivar – Bukojçan dhe projekti për autostradën Trebenishtë – Strugë – Qafë Thanë) dhe Korridori 10d (pjesa e autostradës Prilep – Manastir) në Republikën e Maqedonisë së Veriut të gjitha në procedurë të shkurtuar.