RajoniTop Lajme

30 ditë paraburgim pë tre policët kosovarë të rrëmbyer në territorin e Kosovës

Shpërndaje

Prokuroria e Lartë Publike në Kralevë – qytet në jug të Serbisë – dha urdhër për kryerjen e hetimeve ndaj tre policëve të Kosovës, të arrestuar nga forcat serbe, më 14 qershor.

Sipas autoriteteve serbe, ata dyshohet se kanë kryer veprën penale: prodhim, posedim, mbajtje dhe trafikim i paligjshëm i armëve dhe lëndëve plasëse, e cila bart dënimin deri në 12 vjet burg.

Tre policëve, B.S. R.Z. dhe M.SH., iu shqiptua të premten masa e paraburgimit nga gjyqtari i procedurës paraprake në Gjykatën e Lartë në Kralevë, por tash për tash nuk është e qartë kohëzgjatja e saj.

Sipas zëvendësministrit të Jashtëm të Kosovës, Kreshnik Ahmeti, bëhet fjalë për 30 ditë paraburgim.

Ahmeti tha për Radion Evropa e Lirë se në, bazë të informatave që ka, policët “po mbahen në kushte çnjerëzore, pa ushqim dhe pa trajtim adekuat mjekësor”.

Ai tha se i ka siguruar këto të dhëna nga një zyrtar i Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, i cili, sipas Ahmetit, është në kontakt me avokaten e njërit prej policëve.

“Qysh dje, përmes Zyrës Ndërlidhëse, kemi kërkuar nga Kryqi i Kuq dhe Komiteti për Parandalimin e Torturës që të interesohen për policët tanë atje. Kjo çfarë kemi kuptuar sot, është shumë serioze dhe shqetësuese për ne”, tha Ahmeti, duke shtuar se shefit të Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, Jetish Jashari, nuk iu pranua kërkesa për t’i vizituar policët.

REL-i kontaktoi dy avokatë që përfaqësojnë policët kosovarë, por ata nuk pranuan të flasin.

Qeveria e Kosovës pretendon se policët janë “rrëmbyer”, pasi, sipas saj, ata janë arrestuar në territorin e Kosovës.

Serbia e mohon këtë, duke thënë se ata janë arrestuar në territorin e saj.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se më herët se, mesa duket, prokurori në Serbi i ka hedhur poshtë akuzat për terrorizëm kundër tre policëve të arrestuar, ndërsa i ka mbajtur në fuqi vetëm akuzat për posedim të paligjshëm të armëve.

Kurti i bëri komentet gjatë një adresimi në Forumin e Prespës në Strugë.

“Dua ta falënderoj Departamentin amerikan të Shtetit që kërkoi lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të tre policëve të Kosovës. Kjo është rruga përpara”, tha ai.

“Së pari, këta policë duhet të kthehen, por, në të njëjtën kohë, bashkësia ndërkombëtare duhet ta dënojë me vendosmëri dhe qartë agresionin e Serbisë në Kosovë”, shtoi Kurti.

Ai, po ashtu, tha se NATO-ja duhet ta dënojë shkeljen që, sipas tij, i bëri Serbia Marrëveshjes së Kumanovës, e cila i dha fund luftës në Kosovë më 1999.

I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha të premten se SHBA-ja dhe misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, janë në pritje të fakteve.

“Po presim përfundimin e hetimeve. Mendojmë se është joadekuate të bëjmë vlerësime parapake. Është shumë e qartë, këta policë ose janë dërguar në Serbi, ose kanë përfunduar në Serbi pa qëllim, prandaj edhe duhet të lirohen, pa parakushte”, tha Escobar./(REL)