Momenti kur serbet sulmojnë dhe rrahin gazetarët në Leposaviq!

Shpërndaje

Gazetarët e mediave të ndryshme janë sulmuar para pak çastesh nga protestuesit serbë në komunën e Leposaviqit.

Në një transmetim të drejtpërdrejtë, disa persona shihen duke gjuajtur me shok-bomba ndaj gazetarëve në komunën e Leposaviqit në veri.

Siç shihet nga disa pamje të publikuara, kameramani i RTK-së, është rrëzuar nga persona të maskuar dhe është goditur me shqelma.

Tani, siç ka mësuar Dukagjini, gazetarët janë në stacionin policor.

Por, derisa po iknin, disa gazetarëve u kanë rënë celularët, të cilët, sipas tyre, i kanë marrë serbët që i kanë sulmuar.

Ndryshe, në këtë komunë disa persona të maskuar e kanë sulmuar me ngjyrë veturën e ministrit të Ministrisë për Administrimin e Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.

Ky veprim i tyre ka ndodhur pasi Krasniqi doli nga objekti komunal, ku para pak çastesh, ishte takuar me kryetarin Lulzim Hetemi.

Po ashtu, gjatë ditës protestuesit në Leposaviq kanë tentuar të hyjnë brenda objektit të komunës, por ata i ka ndaluar KFOR-i.