Blinken: S’ka armëpushim në Ukrainë pa tërheqje të Rusisë
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se nuk mund të ketë armëpushim në Ukrainë nëse nuk arrihet një marrëveshje “e drejtë dhe e qëndrueshme” për paqe.
Blinken shtoi se në këtë marrëveshje duhet të përfshihet edhe tërheqja ushtarake e Rusisë nga Ukraina, shkruan REL.
Blinken theksoi se “një armëpushim që vetëm i ngrin në vend linjat aktuale” dhe ia lejon presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, “të konsolidojë kontrollin mbi territorin që ka kapur, të pushojë, të riarmatoset dhe të sulmojë sërish… kjo nuk është një paqe e drejtë dhe e qëndrueshme”.
Rusia duhet të paguajë edhe dëmshpërblim për një pjesë të rindërtimit të Ukrainës dhe të mbahet përgjegjëse për fillimin e pushtimit të paprovokuar të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, tha Blinken në fjalimin e tij, më 2 qershor, gjatë një vizite në Finlandë.
Siç theksoi ai, çfarëdo plani që do t’ia lejonte Rusisë ta mbajë një të pestën e territorit të pushtuar të Ukrainës, do të dërgonte mesazhin e gabuar te Rusia dhe te “agresorët e tjerë të mundshëm në mbarë botën.