Kasami kërcënon për ndryshimet kushtetuese: S’kemi obligim t’i përkrahim nëse “20%-shi” nuk çohet në Kuvend

Shpërndaje

Nëse Qeveria mban inat me Lëvizjen Besa dhe nuk e fut në procedurë zëvendësimin e 20% për gjuhën shqipe, atëherë “Besa” vlerëson se nuk e ka obligim të përkrah propozimin e Qeverisë për ndryshimet kushtetuese, kërcënoi kreu i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, duke i bërë thirrje që Qeveria të dërgojë në Kuvend dhe propozimin e partisë së tij dhe të Grupit të Zjarrit që pjesë e ndryshimeve kushtetuese të bëhet edhe heqja e “20%-shit”.

“Duke pasur parasysh faktin që edhe për ndryshimet kushtetuese, Qeveria nuk ka garanci që i ka siguruar 80 mandate, që të dorëzojë propozimin në Kuvend, ne kërkojmë po të njëjtën qasje të kësaj Qeverie edhe për 20 përqindëshin. Qeveria të dërgojë edhe propozimin tonë dhe të disa deputetëve të tjerë, në këtë rast edhe të Grupit të Zjarrit në Parlament dhe këtu ne si Lëvizje Besa garantojmë se do të përkrahim ndryshimet kushtetuese. Nëse Qeveria bën inat me Lëvizjen Besa dhe nuk e fut në procedurë zëvendësimin e 20%, atëherë ne vlerësojmë se nuk e kemi obligim të përkrahim propozimin e Qeverisë për ndryshimet kushtetuese”, tha Kasami.

Kreu i Besës thotë se si parti nuk do të bëhen pjesë e një qeverie gjithëpërfshirëse për miratimin e ndryshimeve kushtetuese. Kasami është i bindur se pas zgjedhjeve do të jenë fitues, me çka do të bëhen pjesë e Qeverisë.

“Lëvizja Besa ka thënë qartë edhe zëshëm se do të jetë vetëm pjesë e një Qeverie e cila do të dalë nga zgjedhjet ku ne me kombinatorikat e një koalicioni të zgjeruar opozitar vlerësojmë se do të dalim fitues. Lëvizja Besa nuk do të jetë pjesë e asnjë kalkulimi për të qenë pjesë e Qeverisë para zgjedhjeve”, deklaroi Bilall Kasami.

Kasami kërkon zgjedhje të parakohshme si mënyrë për dalje nga kjo situatë, gjersa akuzoi partitë shqiptare në pushtet BDI edhe ASH-në si parti të korruptuara që nuk mund t’i çojnë përpara proceset integruese.