Maqedoni

Këtë vit nuk do të ketë rrymë të lirë / Deri të premten do të merret vesh se sa do të shtrenjtohet

Shpërndaje

KRrE të hënën në mbledhje përgatitëse para MEPSO-s, MEMO-s, EVN Home dhe EMV-së, do t’i prezantojë vendimet se cilat nga shpenzimet pranohen, por sipas traditës, pritet që kompanitë t’i dorëzojnë vërejtjet e tyre. Sipas informacioneve tona, deri të premten KRrE do ta shpallë vendimin përfundimtar për çmimin e rrymës. Për momentin është e qartë se nëse pranohen të gjitha vërejtjet për shpenzimet e kompanive që tashmë i dorëzuan ofertat e tyre, çmimi i rrymës do të rritet, edhe pse këtu nuk është përfshirë as TVSH-ja që nga 10% kthehet në 18%. Sipas përllogaritjeve, nëse pranohen të gjitha shpenzimet, duke përfshirë edhe kthimin e TVSH-së, çmimi mund të rritet për 20%.

KRrE paralajmëroi se duke marrë parasysh shkallën më të lartë tatimore për rrymën, po shqyrtohen skenarë për të shmangur çmimet tronditëse për qytetarët.

EMV në tenderin e sotëm, furnizuesit universal EVN i ka dorëzuar ofertë nga 53 euro për megavat orë para vendimit të KRrE-së për çmimin e rrymës për amvisëritë dhe konsumatorët e vegjël nga 1 korriku.

“SHA EMV i ofroi “EVN Home” çmim për energjinë elektrike prej 53 eurove për megavat orë për mbulimin e 100% të sasive të përgjithshme të planifikuara. Ky çmim është për rreth 5,35% më i ulët se çmimi paraprak në tenderin e fundit të furnizuesit universal (janar-qershor 2023), kur EMV ofroi çmim prej 56 eurove për megavat orë”, thonë nga EVN HOME.

Përndryshe, nga 1 korriku pritej tarifë e lirë ditore, megjithatë nuk do të ketë dhe nuk dihet se kur do të ketë. Problem ka qenë ndryshimi i matësve. Qeveritarët e paralajmëronin këtë benefit pothuajse dy muaj, por tani nuk dihet nëse do të kemi dy orë tarifë të lirë gjatë ditës.

“Sa i përket tarifës së lirë ditore, ne si Qeveri ende jemi në qëndrimin se duhet të zbatohet, KRrE dhe Ministria e ekonomisë duhet të tregojnë se kur mund të realizohet kjo gjë”, tha Fatmir Bytyqi, zv/kryeministër për Çështje Ekonomike.

Sipas informacioneve të TV21, kjo nuk do të ndodhë deri në fund të vitit, për shkak të problemit me përshtatjen e matësve që duhet ta bëjë EMV. Problemi më i madh janë matësit e vjetër që nuk kanë kontroll në largësi dhe çdo matës në mënyrë manuale duhet të përshtatet. Afati më optimal për fazën e parë për rrymë të lirë është muaji shkurt të vitit të ardhshëm.