Vuçiq: FSK-ja po armatoset nga Turqia, duhet të kemi kujdes

Shpërndaje

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq pretendon se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dëshiron ta tërheqë Serbinë në konflikt të hapur dhe luftë me NATO-n.

“Kurti nuk do të ndalet. Në fund të fundit ai nuk do realizimin e Asociacionit, sepse ai e di që ky komunitet duhet të jetë në përputhje me parimet që unë dhe Isa Mustafa i kemi siguar në vitin 2015. Ata nuk duan t’i miratojnë parimet. Ai (Kurti ) do luftë, për të na tërhequr në luftë. Ai dëshiron të jetë udhëheqës lufte, sepse kjo i mungon në biografinë e tij. Ai është një enverist, një marksist”, tha Vuçiq për “Pink”.

Vuçiq tha gjithashtu se sot do të takohet sërish me përfaqësuesit e serbëve nga Kosova.

Sipas Vuçiqit, Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) është “më shumë e pajisur” me armë serioze turke.

Ai ka thënë se Kosova është duke ndërtuar një ushtri, e cila nuk i lejohet me rezolutën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

“Turqit u kanë dhënë atyre armë shumë të fuqishme anti-tank, mortaja, obusë”.

Ai ka thënë se për këtë arsye Serbia ka hequr dorë nga blerja e dronëve nga Turqia, mirëpo që një numër i madh i dronëve kamikazë do të arrijnë shpejt në Serbi nga shtetet tjera, përfshirë Kinën./21Media