Kosova ndalon hyrjen e të gjitha mallrave nga Serbia

Shpërndaje

Tre policë kufitarë të Policisë së Kosovës janë rrëmbyer nga njësitë speciale të Serbisë në vijën kufitare mes të dyja vendeve.

Policia e Kosovës sqaron se tre zyrtarët ishin të stacionuar në pikën statike në vendin e njohur si Tresave/Bare për të penguar qarkullimin përgjatë rrugëve ilegale në Leposaviq, brenda territorit të Republikës së Kosovës.

“Policia e Kosovës thekson se njësia patrulluese ka qenë me detyrë zyrtare në pikën statike në Bare thellë në territorin e Kosovës, me qëllim parandalimin e grupeve kriminale për qarkullim të kontrabandës në rrugët ilegale”, tha zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.

Sipas policisë, zyrtarët kishin njoftuar se kanë parë persona të maskuar dhe armatosur në afërsi të pikës derisa kanë kërkuar edhe asistencë, e cila kur arriti në vendin e ngjarjes gjeti vetëm makinën zyrtare.

Futja në territorin e Kosovës nuk është e pazakontë sipas policisë, pasi që kjo bëhet me qëllim destabilizimi të vendit.

Për lirimin e tyre janë njoftuar të gjithë mekanizmat vendorë dhe ndërkombëtarë, përfshirë edhe misionin e KFOR-it.

Nga ana tjetër mediat serbe që kanë publikuar edhe pamjet e zyrtarëve policorë thonë se u arrestuan pasi kaluan në territorin e Serbisë.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla ka reaguar duke thënë se Serbia ka shkelur marrëveshjet e parimet ndërkombëtare duke kërkuar që presioni të zhvendoset në Serbi pasi policia serbe kaloi në mënyrë të jashtligjshme kufirin dhe po vazhdon me provokimet.

Rrëmbimi i tre policëve kufitar të Kosovës, nga policia speciale e Serbisë ka nxitur reagimin e Qeverisë së Kosovës e cila ka marrë vendim për ndalimin e hyrjes në Kosovë të të gjitha mallrave që kanë origjinë serbe.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar duke thënë se rrëmbimi i policëve u bë në shenjë hakmarrjeje pas arrestimit të të dyshuarit për sulm ndaj KFOR-it, Milune Milenkoviç.

Kurti ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të tre policëve. Ndërkohë Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës u ka kërkuar qytetarëve që po udhëtojnë për në Kosovë të shmangin kalimin nëpër Serbi.