Kovaçevski në Gjermani: Alternativa e vetme e Maqedonisë së Veriut është BE-ja
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Republikën Federale të Gjermanisë, së bashku me kancelarin gjerman Olaf Scholz, mbajti konferencë për media në të cilën theksoi se bashkëpunimi në mes RMV-së dhe Gjermanisë është i shkëlqyer.
Kovaçevski tha se sivjet shënohet 30 vjet nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve, të cilat siç tha, karakterizohen nga një dialog intensiv politik dhe një dinamikë e theksuar bashkëpunimi në të gjitha fushat.
“Republika Federale e Gjermanisë është partneri ynë kryesor politik dhe ekonomik dhe gjatë kësaj periudhe tre dekadash të bashkëpunimit intensiv, ne kemi krijuar dhe mbajtur një shkëmbim tregtar që arriti në 3.2 miliardë euro vetëm vitin e kaluar. Gjermania është partneri ynë i parë tregtar, partneri numër një. Rreth 50% e totalit të eksportit nga Maqedonia e Veriut është në Gjermani”.
“Me fillimin e negociatave dhe skriningut si dhe me nënshkrimin e marrëveshjes FRONTEX, vitin e kaluar morëm konfirmimin e plotë të përkushtimit tonë për të ardhmen evropiane dhe konfirmuam se gjuha maqedonase është e mbrojtur dhe është në të njëjtin nivel me gjuhët e tjera të Bashkimit Evropian”.
“Ka filluar një kapitull i ri në rrugën tonë evropiane, ku qëllimi përfundimtar është anëtarësimi i plotë i Maqedonisë së Veriut në BE. Kjo Qeveri mori vendime shumë të vështira dhe tregoi lidership dhe guxim. Hapja e negociatave është baza dhe mundësia për një të ardhme më të mirë, më të pasur, një standard më të mirë jetese për qytetarët, një mundësi që brezat e ardhshëm të jetojnë në një shtet anëtar të BE-së, por jo në një vend tjetër, por në atdhe, Maqedonia e Veriut”, tha Kovaçevski.