Tensionet në veri, fillon takimi Kurti – Borrell

Shpërndaje

Ka filluar takimi bilateral i kryeministrit Albin Kurti me ndërmjetësuesin e dialogut Kosovë- Serbi në Bruksel, Joseph Borrell, merr vesh Radio Evropa e Lirë.

Më herët, Shërbimi i Jashtëm i Bashkimit Evropian tha se “përfaqësuesi i lartë, Josep Borrell, i shoqëruar nga i dërguari i posaçëm, Mirosllav Lajçak, do të kenë një seri takimesh për menaxhimin e krizave me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti”.

Takimet në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë me gjasë do të jenë vetëm takime dypalëshe, mes bartësve të dialogut, Albin Kurti, dhe Aleksandar Vuçiq, me ndërmjetësit evropianë të dialogut, raporton REL.

Zëdhënësja e BE-së, Nabila Massrali, në një konferencë për shtyp të enjten nuk ka treguar saktësisht se a do të ketë apo jo takim trepalësh.

“Unë nuk kam thënë se nuk do të ketë takim mes tyre. Me rëndësi është se ata sot do të jenë në Bruksel, me ftesë të përfaqësuesit të lartë. Të shohim se si do të shkojnë takimet, e pastaj mund të dimë më shumë”, është përgjigjur Massrali, në pyetjen se a do të ketë pasoja për ata që refuzojnë të takohen.

“Diskutimet do të fokusohen në gjetjen e rrugëdaljes për uljen e tensioneve të tashme, në mënyrë që [palët] të kthehen në zbatimin e marrëveshjeve të dialogut, në veçanti të Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit”, thuhet në njoftimin e BE-së.

Pas takimeve është paralajmëruar që Borrell të prononcohet për mediat.