RajoniTop Lajme

Von der Leyen kërkon urgjentisht deeskalim të situatës në veri

Shpërndaje

Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka bërë të ditur se të martën ka biseduar me kryeministrin Albin Kurti, nga i cili ka kërkuar deskalim të situatës në veri të vendit dhe kthimin në dialog me Serbinë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Po ashtu, ajo ka njoftuar se gjatë ditës së martë do të bisedojë edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

“Bisedova me Kurtin këtë mëngjes. Theksova nevojën urgjente për deskalim dhe kthim në dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Do të flas me presidentin Vuçiq më vonë sot”, ka shkruar ajo në Twitter.

Policia e Kosovës ka njoftuar se disa persona të dyshuar kanë sulmuar me granatë dore ndërtesën e komunës në veri të Mitrovicës, në orët e vona të mesnatës të së hënës.

Kryeministri Kurti ka reaguar pas sulmit në objektin e komunës duke i bërë thirrje Serbisë “që menjëherë t’i ndalë nxitjet për dhunë para se të ketë humbje jete”.

Ai në një postim në Twitter ka shkruar se asnjë person nuk është lënduar, por siç theksoi ai do të mund të kishte lëndime.

“Mbrëmë ndërtesa e komunës së Mitrovicës së Veriut është sulmuar me 2 granata dore, duke shkaktuar dëme në veturat që ndodheshin afër. Fatmirësisht asnjë person nuk u lëndua, por mund të kishte ndodhur lehtësisht. I bëj thirrje Serbisë që menjëherë të ndalë nxitjet për dhunë para se të ketë humbje jete”, ka shkruar ai.

Policia e Kosovës ka thënë se në konsultim me prokurorin kompetent është iniciuar rasti “kryerja e veprës terroriste”.

Ditë më parë është raportuar edhe për sulme me shok-bomba afër stacioneve policore në Mitrovicë të Veriut dhe Zveçan, komuna në veri të Kosovës.