Dhuna për guroren, shkon në tetë numri të arrestuarëve, Policia: Organizatorë Xhelal dhe Rexhep Rraja, të dorëzohen
Ka shkuar në tetë numri i personave të arrestuar pas sherrit të ndodhur dy ditë më parë në guroren e Fushë Krujës, ku fisi Rraja kanë rrahur në mënyrë brutale dy anëtarë të fisit Maja në një lokal në aksin rrugor Fushë Krujë-Thumanë.
Policia ndër të tjera thekson se përveç të shoqëruarve në lidhje me këtë ngjarje janë shpallur në kërkim edhe 6 persona të tjerë të cilët dyshohen se janë bërë pjesë e kësaj dhunë çnjerëzore ku kanë goditur me sende të forta dhe kërcënuar me armë shtetasit Bilbil Maja dhe Jashar Maja.
Njoftimi i plotë i policisë:
Shkon në 8 numri i personave të shoqëruar dhe ndaluar në lidhje me ngjarjen e ndodhur më datë 6 korrik 2023, në një lokal në aksin rrugor Fushë Krujë-Thumanë, si dhe shkon në 6 numri i shtetasve të shpallur në kërkim.
Në vijim të veprime hetimore për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes së rëndë të ndodhur në një lokal në aksin rrugor Fushë Krujë-Thumanë, ku një grup personash kanë goditur me sende të forta dhe kërcënuar me armë shtetasit Bilbil Maja dhe Jashar Maja, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, Komisariati i Policisë Krujë, me mbështetjen e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në orët e para të datës 08.07.2023, kanë organizuar operacionin për kontrollin e ambienteve dhe vendeve ku mund të mund të fshiheshin personat e shpallur në kërkim, të përfshirë në ngjarjen e datës 06 korrik 2023.
Gjatë operacionit u kontrolluan 20 banesa, biznese dhe ambiente të ndryshme në pronësi të shtetasve të shpallur në kërkim Xhelal Rraja, Flamur Rraja, Klajdi Rraja, dhe Rexhep Rraja, dhe të perosnave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.
Gjithashtu gjatë mëngjesit të sotëm u bë shoqërimi në ambientet e Policisë i 4 shtetasve, L. Rr., D. Rr., H. Rr., dhe A. Rr., lidhje të afërta fisnore dhe shoqërore të shtetasve të shpallur në kërkim dhe po vijojnë veprimet hetimore të drejtuara nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për sqarimin e pozitës së tyre në raport me ngjarjen.
Po kështu, në vazhdim të veprimeve hetimore dhe kqyrjes së pamjeve filmike u identifikuan dhe dy persona të tjerë të përfshirë të cilët u shpallën në kërkim, konkretisht shtetasit Edison Meta, 27 vjeç dhe Përparim Rraja, 48 vjeç. Ndërsa gjatë ditës së djeshme u shpallën në kërkim dhe 4 shtetas të tjerë Xhelal Rraja, Flamur Rraja, Klajdi Rraja, dhe Rexhep Rraja.
Po në lidhje me këtë ngjarje, Policia ndaloi më datën 07.07.2023 shtetasit Ineidi Rraja, Eni Kullaj, Kujtim Përdaku dhe Andi Rraja, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje”, “Mbajtja pa leje e armëve të zjarrit”, “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”.
Gjithashtu në vijim të masave të marra do rinovohet e tërë trupa e niveleve zbatuese dhe drejtuese të Komisariatit të Policisë Krujë dhe Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, Drejtues i Parë Tonin Vocaj është drejtuesi operacional dhe përgjegjësi për çështjet e rendit dhe sigurisë, në juridiksionin territorial të këtij komisariati.
Policia e Shtetit i bën thirrje shtetasve Xhelal Rraja dhe Rexhep Rraja, si organizatorë të kësaj ngjarje të rëndë kriminale për tu dorëzuar sa më parë në Policinë e Shtetit së bashku me personat e tjerë të shpallur në kërkim pasi çdo orë që kalon rëndon akoma më shumë pozitën e tyre penale.
Policia e Shtetit kërkon mbështjetjen e publikut për dhënien e informacioneve për vendndodhjen e këtyre personave dhe për çdo informacion të telefonojnë në numrin 112, duke iu garantuar anonimat të plotë.
Policia e Shtetit ka organizuar grupe të posaçme operacionale dhe hetimore për dokumentin e plotë të kësaj ngjarje dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim dhe operacioni nuk do të ndalet deri në kapjen e organizatorëve dhe personave të shpallur në kërkim.