“Ndjehem i turpëruar nga fëmija im”, Rrahman Rraja ndjesë publike pas dhunës ndaj dy qytetarëve: I kërkoj djalit tim të dorëzohet

Shpërndaje

Deputeti socialist, Rrahman Rraja dorëzoi mandatin dhe u tërhoq nga jeta politike pas dhunës së ushtruar nga banda e tij ndaj dy qytetarëve të pafajshëm.

Vendimi vjen pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në Fushë-Krujë, kur djali, vëllezërit e tij dhe anëtarë të tjerë të fisit Rraja kanë dhunuar barbarisht dy kushërinjtë, Jashar dhe Bilbil Maja.

Në një reagim të bërë në rrjetet sociale Rraja u ka kërkuar ndjesë dy viktimave të dhunës, ndërsa mes rreshtash thotë se dështoi si prind.

Ai i kërkon ndjesë Edi Ramës dhe i bën thirrje djalit të dorëzohet.

Deklaratë për media e deputetit të Partisë Socialiste, Rrahman Rraja:

Nuk kam fjalë për ta shprehur sikletin karshi të gjithë atyre që më kanë besuar gjithë këto vite.

Fatkeqësisht unë dështova si prind dhe ndjehem i turpëruar publikisht nga fëmija im.

Ju kërkoj ndjesë shokëve dhe kolegëve të grupit parlamentar dhe deklaroj dorëzimin e mandatit të deputetit dhe tërheqjen time nga jeta politike.

Ju kërkoj ndjesë atyre që më kanë dhënë votën prej vitit 2000 si kryetar komune dhe prej 2 mandatesh si deputet.

Ju kërkoj ndjesë viktimave të asaj dhune turpëruese për familjen time. I bëj thirrje djalit tim të dorëzohet para drejtësisë.

Zoti më dhëntë forcë që ta përballoj këtë dhimbje të madhe dhe jetë që ta shlyej këtë turp që më la mbi shpatulla si gur im bir.

Në fund mirënjohje dhe ndjesë edhe kryetarit të partisë dhe kryeministrit, i cili nuk më kishte asnjë borxh për këtë shqetësim kaq të madh publik që i shkaktova.

Më poshtë e keni videon e dhunës, KUJDES PAMJE TË RËNDA: