MaqedoniOpinione

Marrëveshjet e Maqedonisë me shtetet fqinje, stabiliteti dhe perspektiva evropiane

Shpërndaje

(Vetëm përmes dy marrëveshjeve në letër me shtetet fqinje nuk mund të sigurohet edhe stabiliteti i brendshëm dhe perspektiva evropiane e shtetit të Maqedonisë.)

NGA Abdulla Mehmeti

Ndërkohë që mes disa qarqeve të ndryshme jashtë Maqedonisë, me mbështetje të zbehtë edhe brenda vendit, ende nuk kanë pushuar projektet e fshehta, planet dhe ëndrrat për ndarjen Maqedonisë së mbetur, pas copëtimit dhe ndarjes së mëhershme të saj, përkatësisht të rajonit gjeografik më të gjerë me po këtë emër, sidomos me Marrëveshjen e Bukureshtit (1913), siç thuhet përmes deklaratave të hapura të disa qarqeve politike dhe intelektuale në Bullgari, për krijimin e shtetit të dytë bullgar në Maqedoni, si ,,Bullgaria Jugperëndimore”; si shteti dytë serb, apo ,,Maqedonia e Vardarit” ose ,,Serbia Jugore”, sipas qarqeve të ndryshme politike dhe intelektuale në Serbi; si shtet i tretë shqiptar, apo ,,Shqipëria Lindore” ose ,,Republika e Iliridës”, sipas disa qarqeve politike dhe intelektuale shqiptare; si shteti i dytë grek me çfarëdo emri të ri të këtij shteti, përveç me emrin Maqedoni, sipas qarqeve të ndryshme në Greqi; rrethanat historike i kanë detyruar banorët vendës në Maqedoni të jetojnë në një shtet të përbashkët, ta ndërtojnë dhe ruajnë atë edhe më tej, si shtet demokraik dhe modern, me orientim evropian, të integruar në strukturat globale, NATO dhe BE, me aspirata për hapjen e pserspektivave të reja bashkë me shtetet tjera të Ballkanit Perëndimor, ku secili qytetar i vendit, sidomos dy popujt shumicë, shqiptarët dhe maqedonasit, do ta ruajnë identitetin dhe veçoritë e tyre kombëtare në frymën e konventave ndërkombëtare dhe të traditave pozitive, në lirë, paqe e mirëbesim mes tyre.

Ndërkohë, sot e as në të ardhmen nuk mund t’u mohohet e drejta historianëve dhe studiuesve të tjerë ta thonë përherë të vërtetën për të kaluarën e këtij shteti dhe të rajonit në përgjithësi, për historinë e popujve të tij të bazuar në fakte dhe burime relevante historike, jo në fakte e dëshmi të falsifikara siç ka ndodhur deri më sot. Megjithatë, detyra e politikanëve të sotëm është ta ruajnë dhe ndërtojnë këtë shtet, me mbështetje të vazhdueshme edhe të faktorit ndërkombëtar, që të sigurojnë perspektivë të qartë dhe të ardhme më të mirë e të sigurt të qytetarëve të vendit, si në Maqedoni edhe në shtetet tjera të rajonit.

Shqiptarët në Maqedoni e kanë dëshmuar deri më sot se janë për ndryshime pozitive në shtetin e Maqedonisë dhe në rajon, për zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura mes shteteve fqinje të trashëguara nga e kaluara, sidomos për integrimin e Maqedonisë në NATO dhe BE, për perspektivë të përbashkët evropiane të shteteve të Ballkanit Perëndimor, me këtë edhe për përmbushjen e detyrimeve që dalin nga Marrëveshja e Prespës, mes Greqisë dhe Maqedonisë për ndryshimin e emrit të shtetit.

Por, mbajtja e referendumit dhe ndryshimet e domosdoshme të kushtetutës në këtë frymë, nuk duhet t’i rehatojnë sidomos shqiptarët, symbyllur të mendojnë se kanë përfunduar kohët e planeve dhe marrëveshjeve të fshehta në dëm të interesave të shqiptarëve në Maqedoni dhe rajon. Për aq më tepër, nuk mund të pritet nga një klasë politike e kapur, e zhytur në korrupsion dhe krime, të sigurohet ndonjë zgjidhje e drejtë dhe afatgjatë siç e imponojnë rrethanat aktuale.

Koncepti i derisotëm i shtetit, i betonuar me Kushtetutën e derisotme të Maqedonisë (1991, 2001), nuk arriti të ndryshohet as me Marrëveshen e Ohrit më 2001 dhe as me Deklaratën e partive politike shqiptare parlamentare (2017), për reflektimin e realitetit historik, etnik dhe konfesional të shtetit të Maqedonisë.

Është tepër vështirë, por jo e pamundur, shqiptarët kësaj radhe të mobilizohen si asnjëherë më parë, atë që synon faktori ndërkombëtar ta arrijë përmes Marrëveshjes së Prespës, të mos gjenerojë probleme të reja të brendshme në të ardhmen, por zgjidhja të fokusohet në ndërtimin e një shteti të përbashkët të shqiptarëve, maqedonasve dhe të tjerëve, në konceptin e një shteti demokratik dhe modern, me orientim evropian, por pa euforinë tonë tradicionale, se rajoni mund të tranformohet kaq shpejtë dhe lehtë nga një „fuçi baroti“ në „oazë të paqes“.

Republika e Maqedonisë Veriore mund të mbijetojë vetëm si shtet i përbashkët i maqedonasve, shqiptarëve dhe të tjerëve, qartë i definuar në preambulën dhe pjesën normative të kushtetutës së re të këtij shteti, e që tani është koha për këtë marrëveshje mes popujve shumicë të këtij shteti dhe grupeve etnike më të vogla, pas marrëveshjeve të arritura më parë mes qeverisë së Maqedonisë dhe qeverive të shteteve fqinje, Bullgarisë dhe Greqisë.

Nëse nuk arrihet një konsensus i brendshëm dhe i arsyeshëm, sidomos mes shqiptarëve dhe maqedonasve, ku do të përfshihen edhe faktorë të tjerë shoqërorë përveç partive politike, edhe rezultatet e referendumit edhe ndryshimet kushtetuese të radhës, të cilat qeveria me përkrahjen e heshtur të faktorëve të jashtëm do të detyrohet t’i kalojë në mënyrë jotransparente dhe jodemokratike, me këtë duke i thelluar edhe tej problemet ekzistuese, të cilat nuk zgjidhen duke i heshtur dhe mbuluar me formulime të paqarta, por duke i zgjidhur ato me guxim dhe në rrugë paqësore.

Çdokush duhet ta ketë të qartë se, shqiptarët në Maqedoni i kanë thënë PO, pa hamendje:

– ekzistimit dhe ruajtjes së shtetit të përbashkët të Maqedonisë,

– ekzistimit të popullit maqedonas, siç e ndjejnë dhe deklarojnë identitetin e tyre banorët sllavë në këtë shtet,

– marrëveshjeve me shtetet fqinje, për zgjidhjen e çështjes së emrit të shtetit me Greqinë, të identitetit, historisë, kulturës dhe gjuhës së popullit maqedonas, me Bullgarinë,

– integrimit pa kusht të këtij shteti në NATO dhe BE.

Por, shqiptarët në Maqedoni kursesi nuk do të pajtohen me statusin juridik-kushtetues të pakicës, siç janë trajtuar deri më sot, por vetëm si popull shtetformues, i barabartë me popullin maqedonas, meqë janë populli i vetëm autokton në territorin e këtij shteti, përbëjnë shumicë të konsiderueshme në numrin e përgjithshëm të popullsisë, kanë kontribuar në krijimin dhe ndërtimin e këtij shteti të përbashkët dhe në asnjë mënyrë nuk e rrezikojnë identitetin e popullit maqedonas dhe të tjerëve, të mohuar deri më sot nga shtetet fqinje.

Vetëm kështu, shqiptarët në Maqedoni do ta ndjejnë për të veten këtë betejë dhe do ta zhvillojnë deri në fund, për përmbushjen e detyrimeve që dalin nga Marrëveshja e Prespër, deri në arritjen e suksesit të plotë, përmes referendumit dhe ndryshimit të kushtetutës, me këtë edhe për integrimin e plotë të Maqedonisë në NATO dhe BE.