Qeveria e Kosovës merr vendim për pensionet e viteve të 90-ta
Qeveria e Kosovës ka miratuar ndryshimet në Ligjin për Skemat Pensionale të financuara nga shteti, sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.Ministri i Financave, Hekuran Murati është shprehur se kjo ka qenë një padrejtësi e madhe të cilës po i vjen fundi.
“Ka pasur një diskriminim në aspektin që është mbajtur pragu për 15 vite stazh pune por nuk është marrë parasysh heqja e dhunshme nga puna. Si rezultat i largimit të dhunshëm kanë mbetur shumë persona që kanë kontribuar mbase 14 vite e 11 muaj, por s’kanë arritur ta plotësojnë kushtin. Ne po e zhbëjmë këtë diskriminim sepse do t’u llogaritet drejt plotësimit të kushteve prej 15 vitesh ndërsa lartësia e pensionit do të përcaktohet në bazë të viteve të kontributeve”.
Sipas tij, rreth 70 mijë persona kualifikohen si përfitues nga ndryshimi i këtij ligji.
“Më duhet të them disa statistika, nga ky ndryshim plotësim teorikisht përfitojnë 104 mijë persona që do të plotësonin kushtin, megjithatë duhet të marrim parasysh se disa mund të kenë ndërruar jetë e disa ende mund të mos e kenë arritur moshën e pensionimit. Në skemën e pensionit bazik janë rreth 70 mijë persona dhe do të kualifikoheshin për pensionin parcial kontributpagues të moshës. Shpresojmë që edhe Kuvendi t’i marrë masat e nevojshme”.Murati gjithashtu thotë se shpreson që Kuvendi do t’i marrë masat e nevojshme për procedimin e këtij ligji.
Kjo Gjykatë në fund të vitit 2022, kishte marrë vendim që të largojë nenin 8 të Ligjit për Skemat pensionale. Ky nen përcaktonte se të gjithë punëtorët që nuk i kanë 15 vite punë para datës 1 janar 1999, nuk e gëzojnë të drejtën për pension kontributdhënës.