Qeveria e Kosovës publikon masat e reja për produktet e naftës
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë e Kosovës (MINTK) ka vendosur të premten caktimin e çmimit dhe masave të tjera mbrojtëse të produkteve të naftës.
Në bazë të këtij vendimi, marzha tregtare maksimale e lejuar e shitjes me shumicë është dy centë për litër, ndërsa marzha tregtare maksimale e lejuar e shitjes me pakicë është 12 centë për litër.
Ky vendim do të jetë në fuqi për 30 ditë.
MINTK tha në një njoftim më 28 korrik se ky vendimi “është bazuar në monitorimin e rregullt të çmimeve në tregun e produkteve të naftës, evidencën ditore të pranuar nga Dogana e Kosovës, si dhe raportet e përditshme nga Inspektorati i Tregut, lidhur me çmimet e shitjes me shumicë dhe pakicë të produkteve të naftës, me ç’rast është evidentuar një rritje e çmimeve e cila nuk reflektohet nga lëvizjet e çmimeve në tregun botëror.”
Kjo, sipas ministrisë, përbën bazë për rregullimin e çmimeve dhe caktimin e masave të tjera mbrojtëse sipas ligjit për tregtinë me produkte të naftës, si dhe udhëzimit administrativ për rregullimin e çmimeve të produkteve të naftës dhe masat e tjera mbrojtëse.
Në tregun e Kosovës një litër naftë kushton mesatarisht 1.39 euro aktualisht.
Çmimet dhe kërkesa për naftë janë rritur në tregjet ndërkombëtare pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia në shkurt 2022./REL