Xhaferi për Bejtën: Çfarë është turpi për… Bejta: Nëse ka ndonjë sugjerim, le të ma thotë para Këshillit të BDI-së
Çdo ditë kur të filloni me punë, shihni veten në pasqyrë dhe mos harroni nga vini. Këto ishin fjalët e anëtarit të kryesisë qendrore në BDI, Talat Xhaferi, dedikuar fraksionistëve. Për mossuksesin e këtij fraksioni të njohur si “grupi i zjarrit”, tha se i kishte paralajmëruar që në fillim, se Musa Xhaferi, Blerim Bexheti, Nevzat Bejta e Izet Mexhiti nuk munden të jenë bashkë deri në fund.
“Që të katërve në ato komunikime fillestare kur çështja ishte ende brendapartiake, e pata paraparë dhe u thash se nuk mund të jenë bashkë deri në fund. Në fillim kur filluan përplasjet, në tavolinë u thash, ju katër nuk mund të jeni bashkë deri në fund. Dhe ja tani….”, tha Talat Xhaferi, BDI.
Xhaferi më tej dërgon kritika edhe ndaj bashkëpartiakut të tij Nevzat Bejta. Për të thotë se si nuk i vjen turp të kthehet në parti, pas të gjitha atyre kritikave nëpër paraqitjet publike.
“Duke patur parasysh të gjitha paraqitjet publike nga të përmendurve, veçanërisht Nevzatit i cili vjen nga Gostivari, në paraqitjet e tij. Çfarë të them, përpos fjalë të popullit, çfarë është turpi për… pas gjithë atyre gjërave që ka thënë publikisht në skenë dhe tani paturpësisht të kthehesh, edhe pse ata ende janë anëtarë”, pohoi Talat Xhaferi, BDI.
Ndaj këtyre fjalëve u kundërpërgjigj Nevzat Bejta. Ai për TV21 thotë se nuk pendohet për kritikat ndaj BDI-së sepse të gjitha i ka thënë për të mirën e partisë. Sa i përket Xhaferit, thotë se të gjitha sugjerimet duhet t’ia prezantojë para Këshillit të Përgjithshëm.
“Nëse Talat Xhaferi ka ndonjë sugjerim ndaj meje, mund ta paraqet qoftë në Këshillin e Përgjithshëm ku nuk e hapi gojën, nuk e tha asnjë fjalë. Unë kam qenë prezent në Këshillin e Përgjithshëm edhe në të ardhmen do jem prezent në Kryesinë Qendrore. Nëse ai ka ndonjë sugjerim ose ndonjë vërejtje ndaj meje, le ta mer guximin dhe le ta mer fjalën para organeve partiake dhe do të debatojmë brenda për brenda për problemet që i kemi brenda Bashkimit Demokratik për Integrim”, u shpreh Nevzat Bejta, anëtar i KQ – BDI.
Bejta në bashkëbisedim shtoi se në asnjë prononcim nuk ka thënë se është larguar nga BDI dhe gjithmonë ka qenë anëtar, duke luftuar sipas tij dukuritë negative në parti. Përndryshe Bejta, Bexheti e Xhaferi, vendosën mos t’i bashkëngjiten Izet Mexhitit në formimin e lëvizjes së re, por u deklaruan se do të vazhdojnë me veprimet e tyre brenda BDI-së./tv21