e-Albania me operator virtual, Rama: Në fillim të vjeshtës u japim qytetarëve rezultatin e parë të kësaj risie
Fokusi kryesor i qeverisë në planin 300-ditor do të jetë në rritjen e shpejtësisë dhe mbështetjes politiko-financiare për inovacionin.
Kryeministri Edi Rama në një konferencë për shtyp deklaroi se në fillim të vjeshtës në platformën E-Albania do të futet sistemi i komunikimit të dejtpërdrejtë virtual.
Qytetarët nuk do të kenë më nevojë të presin përgjigje për mënyrën e aplikimit dhe problematikave të cilat lidhen me këtë gjë, pasi operatori virtual me modelin e Chat GPT do japë përgjigjet në kohë reale.
“Kemi vazhduar të punojmë në riorganizimin e qeverisjes për përcaktimin e prioriteteve të 300 ditëve aktive që nisin së shpejti. Fokusin kryesor do e vendosim te rritja e shpejtësisë dhe mbështetjes politiko-financiare për inovacionin.
Kemi riorganizuar strukturat administrative që do u bashkëngjiten nuklat e inovacionit. Kemi nisur projekte të rëndësishme duke vënë në shfrytëzim edhe risitë e inteligjencës artificiale.
Së shpejti në fillim të vjeshtës do u japim qytetarëve rezultatin e parë të kësaj risie me futjen e sistemit të komunikimit të drejtpërdrejtë virtual në platformën E-Albania. Nuk do ketë nevojë për të pritur përgjigje për mënyrën si aplikohet, problematikat e aplikimit sepse operatori virtual me modelin e chat GPT do jetë aty në kohë reale për përgjigjet”, tha kryeministri.
Ky i fundit deklaroi më tej se brenda një periudhe njëvjeçare i gjithë shërbimi E-Albania do të jetë i bazuar te inteligjenca artificiale dhe operatori do të jetë edhe vizualisht në komunikim me qytetarët.
“Do punohet për të zgjeruar modulin e të gjitha shërbimeve, jo vetëm me fazën e aplikimit, që brenda një viti i gjithë shërbimi i E-Albania të jetë i bazuar te inteligjenca artificiale dhe operatori të jetë dhe vizualisht në komunikim me qytetarët, jo person fizik.
Hapi i parë është kjo që thashë: vënia në dispozicion e qytetarëve që përdorin E-Albania të sistemit të komunikimit të drejtpërdrejtë me operatorin virtual për fazën e aplikimit, edhe për ato që janë pyetjet më të zakonshme, përgjigjet më të nevojshme, për ata që hyjnë në E-Albania”, tha kryeministri Rama.