Euro vazhdon të rritet, me sa këmbehet monedha europiane
Valutat e huaja e kanë nisur javën me rritje. Euro, monedha kryesore që qarkullon në Shqipëri, këmbehet 106 lekë. Ajo po rritet në mënyrë progresive që nga data 10 gusht, kur këmbëhej 103 lekë.
Këto pikë të fituara të euros në tregun vendas ndikojnë edhe tek valutat e tjera. Kështu dollari amerikan, po këmbehet për 97.5 lekë, paundi për 124 lekë dhe franga zvicerane për 110.8 lekë.
Dobësimi i lekut në këtë periudhë duket i pazakontë, pasi sezoni turistik është në kulmin e tij, dhe prurjet e mëdha të valutave nga turistët historikisht e kanë forcuar monedhen vendase.
Por, ndërhyrjet e Bankës Qendrore në tregun valutor, besohet se janë faktori kryesor që ka ndikuar në rritjen kursit.
Banka e Shqipërisë ka vendosur zyrtarisht të rrisë shumën e planifikuar të blerjeve të valutës për vitin 2023.
Sipas informacionit të përditësuar, shuma e parashikuar e blerjeve për vitin kalendarik do të jetë në intervalin mes 220 dhe 300 milionë eurove, nga intervali i mëparshëm prej 160-220 milionë eurosh që është publikuar në fillim të këtij viti.