Kurti në mbledhjen e Qeverisë e përmend Krivaqën, Pajazitajn e “Bon Vivantin”: Gjyqësori fajtor, duhet vetting
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka komentuar rastin e para disa ditëve që ndodhi në lokalin “Bon Vivant” në Prishtinë ku një person mbeti i vdekur e dhjetar të tjerë të plagosur. Ai fajin për këtë e ka lënë të institucionet e drejtësisë.
Kurti është shprehur se janë të shumta rastet kur si pasojë e mosveprimit të sistemit të drejtësisë persona me precedentë të shumtë penalë lëvizin lirshëm, raporton Ekonomia Online.
“Janë të shumta rastet kur si pasojë e mosveprimit të sistemit të drejtësisë, persona të ndryshëm me precedent të shumtë penal lëvizin lirshëm qoftë të liruar nga organet apo të pandjekur fare penalisht që rrezikojnë dhe marrin jetë të qytetarëve tanë. Edhe raportet të ndryshme kredibile vendore e ndërkombëtare konstatojnë se drejtësia jonë vazhdon të jetë jo efikase dhe e ngadaltë dhe të përshkruhet me fenomenin me raste të shumta në rigjykim dh evendimeve jo të duhura ndëshkimore”.
Ai ka përmendur rastin e lirimit nga burgu të të dënuarit më burgim të përjetshëm për vrasjen Donjeta Pajazitajt, Naser Pajazitaj si dhe rastin e dënimit me burg të përjetshëm për vrasësin e Marigona Osmanit, Dardan Krivaqa duke thënë se ky dënim ka ndodhur si pasojë e presionit shoqëror.
“Nuk mungojnë rastet më ekstreme tashmë të njohura nga publiku kur dënimet me burg të përjeshtëm, të shqiptuar në shkallë të parë, instanca e fundit kishte liruar tërësisht nga akuza të pandehurin në një proces maratonik gjyqësor të gjykuar e rigjykuar”.
“Kur ndodh një krim po duhet të ngritët shoqëria të kemi vendim meritor nga Gjykata, shembulli i fundit është dënimi me burg të përjetshëm për vrasësit e së ndjerës Marigona Osmani, pra Dardan Krivaqa. U dasht një shoqëri e popull i tërë të dënojë publikisht krimin në mënyrë që gjykata të mund të nxerrë verdikt meritor. Vendimet e drejtësisë kanë efekt të dyfishtë në shoqërinë e çdo vendi: Përveç se sjellin drejtësi për viktimat e të dëmtuarit, ato diktojnë edhe parashikueshmërinë e pasojave të çdo veprimi të paligjshëm e penal, duke ndikuar në parandalimin e krimeve”, tha Kurti.
Ai ka shfrytëzuar rastin t’i kritikojë gjykatat e prokurorinë për këto raste, duke thënë se besimi i tyre ka rënë.
Kurti ka thënë se shumë raste të gjykatës së shkallës së parë kthehen në rigjykim dhe kjo e vonon drejtësinë e humb besimin e qytetarëve dhe nxit krimin e kriminalitetin.
Ai ka thënë se reforma nëpërmjet vetingut është domosdoshmëri dhe pret nga Kushtetuesja t’i hapë rrugë reformës.
“Besimi në organet e drejtësisë vazhdon të jetë ndër më të ulëtit në krahasim em institucione të tjera. Sipas raportit të UNDP dhe USAID “Pulsi Publik”, teksa niveli i kënaqshmërinsë është rritur në mbi 50 përqind, për organet gjyqësore dhe prokuroriale trendi i tyre vazhdon të jetë i ulët. Sipas këtij raporti kënaqshmëria e qytetarëve për performancën e sistemit të drejtësisë, gjykata dhe prokurori është vetëm 29 përqind”.
“Sipas statistikave të gjyqësorit, gjatë vitit 2022, gjykata e Apelit kishte kthyer në rigjykim plot 1754 raste. Ky raport e rëndon sistemin e drejtësisë, e ngufatë atë, e vonon drejtësinë, e humb besimin e qytetarëve dhe si efekt përfundimtar në mungesë të ndëshkueshmërisë efikase rrezikon të inkurajojë krimin e kriminalitetin. Andaj reforma është domosdoshmëri, e vettingu është zgjidhje. Tash e pesë muaj jemi në pritje që Gjykata Kushtetuese t’i hapë rrugë sa më shpejt jetësimit të kësaj reforme e koha po kalon, koha që kalon është kohë e humbur”.
Adresimi i Kryeministrit Kurti në mbledhjen e 154-të të Qeverisë
Të nderuar zëvendëskryeministra,
Të nderuar ministra e zëvendësministra,
Fillimisht le t’i urojmë së bashku mirëseardhje anëtarit tonë më të ri të kabinetit, kolegut tonë të ri, Ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci. Punë të mbarë. E falënderoj edhe njëherë përzemërsisht për kontributin, angazhimin dhe dedikimin e të pashoq, ish-ministrin Armend Mehajn, ndërkaq bashkëshortes së tij i dëshiroj shërim të plotë dhe të shpejtë.
Janë të shumta rastet kur si pasojë e mosveprimit të sistemit të drejtësisë, persona të ndryshëm me precedentë të shumtë penalë, lëvizin lirshëm, qoftë të liruar nga organet apo edhe të pandjekur fare penalisht, e të cilët rrezikojnë dhe marrin jetën e qytetarëve tanë.
Edhe raporte të ndryshme kredibile vendore dhe ndërkombëtare, konstatojnë se drejtësia jonë vazhdon të jetë jo-efikase dhe e ngadaltë dhe të përshkruhet me fenomenin e rasteve të shumta në rigjykim dhe vendimeve jo të duhura ndëshkimore.
Nuk mungojnë edhe rastet më ekstreme, madje tashmë të njohura edhe për publikun, kur nga dënimi me burgim të përjetshëm të shqiptuar në shkallë të parë, instanca e fundit, Gjykata Supreme, kishte liruar tërësisht nga akuza të pandehurin, në një proces maratonik gjyqësor, të gjykuar dhe rigjykuar.
Në shumë raste, kur ndodhë një krim, po duhet të ngritet shoqëria në mënyrë që të kemi vendim meritor nga Gjykata. Shembull është rasti i fundit me shqiptimin e dënimit me burgim të përjetshëm të vrasësit të së ndjerës Marigona Osmani, pra Dardan Krivaqa. U dashtë një shoqëri e një popull i tërë ta dënojë publikisht krimin, në mënyrë që Gjykata të mund ta nxjerrë një verdikt meritor.
Vendimet meritore të sistemit të drejtësisë kanë ndikim të dyfishtë në shoqërinë e çdo vendi. Përveçse sjellin drejtësi për viktimat dhe të dëmtuarit, ato diktojnë edhe parashikueshmërinë e pasojave të çdo veprimi jo të ligjshëm e penal, duke ndikuar kështu edhe në parandalimin e krimeve.
Niveli i besimit të qytetarëve në organet e drejtësisë, vazhdon të jetë ndër më të ulëtit në krahasim me institucionet e tjera.
Sipas Raportit të UNDP dhe USAID – Pulsi Publik, i publikuar këtë vit, teksa niveli i kënaqshmërisë për Qeverinë është rritur në mbi 50%, për organet gjyqësore dhe ato prokuroriale trendi i tillë vazhdon të jetë i ulët. Sipas po këtij raporti, kënaqshmëria e qytetarëve për performancen e sistemit të drejtësisë – gjykata dhe prokurorinë është vetëm 29%.
Sipas statistikave të gjyqësorit, gjatë vitit 2022 Gjykata e Apelit kishte kthyer në rigjykim plotë 1,754 raste. Ky raport e rëndon sistemin e drejtësisë, e ngulfat atë, e vonon drejtësinë, e humb besimin e qytetarëve, dhe si efekt përfundimtar, në mungesë të ndëshkueshmërisë efikase, rrezikon të inkurajojë krimin dhe kriminalitetin.
Andaj, reforma është domosdoshmëri e vettingu është zgjidhja. Tash e 5 muaj jemi në pritje që Gjykata Kushtetuese t’i hap sa më shpejtë rrugë jetësimit të kësaj reforme. E koha po kalon. Koha që kalon është kohë e humbur.
Këtë javë, të nderuar kolegë të kabinetit qeveritar e të dashur qytetarë, po ashtu pati edhe një zhvillim pozitiv për Republikën e Kosovës, në rrafshin ndërkombëtar. Përmes një letre drejtuar Sekretarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Antony Blinken, Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrel, dhe Ministrit të Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, James Cleverly, mbi 50 deputetë, në mesin e tyre edhe senator e kongresistë amerikanë, 10 kryetarë të komisioneve parlamentare të politikave të jashtme të 16 shteteve, përfshirë edhe Ukrainën, kanë shprehur mbështetjen e tyre për Kosovën dhe kanë bërë thirrje për qasje më të ashpër ndaj Serbisë dhe rrezikut që veprimet e saj paraqesin për sigurinë e rajonit tonë.
Ne i jemi falënderues të gjithë përfaqësuesve politikë që i janë bashkuar kësaj thirrje të përbashkët dhe e mirëpresim secilin nënshkrim dhe mbështetje të radhës. Ky lloj i mbështetjes na e forcon përkushtimin tonë për de-eskalim të plotë të situatës në katër komunat në veri të Kosovës, angazhimin për demokraci, dhe bindjen për ligjshmëri e kushtetutshmëri.