Rama: Korridori Blu po konkretizohet

Shpërndaje

I vetëdijshëm për trafikun e rënduar në disa segmente rrugore gjatë këtij sezoni veror, kryeministri Edi Rama ka kërkuar ndjesë nga qytetarët dhe pak durim deri në përfundimin e projekteve infrastrukturore. Kreu i qeverisë nënvizoi segmentin Milot-Kashar si me problematik, por paralajmëroi se autostrada e Korridorit Blu tashmë është konkretizuar dhe do sjellë së shpejti ndryshimin e situatës.

“Shpërblim i madh i përpjekjeve tona këmbëngulëse ky moment shpërthyes për turizmin, por shumë ndjesë për pasojën e këtij zhvillimi të shumëpritur, të cilën do ta vuajmë edhe për disa kohë në mungesë të Korridorit Blu. Lajmi i mirë është se puna e gjithanshme, me projektime dhe financime, për ta lidhur Shqipërinë Perëndimore nga veriu në jug me Korridorin Blu, një autostradë e mirëfilltë e standardeve europiane, ka hyrë më në fund në një fazë konkretizimesh.”

Kreu i qeverisë, ndër të tjera bëri një bilanc të ecurisë së disa prej projekteve infrastrukturore.

“Në segmentin Thumanë- Kashar po vijon puna me ritme të shpejta dhe është realizuar mbi 40% e volumeve. Për segmentet Milot-Thumanë, Kashar-Lekaj, Lekaj-Fier kanë përfunduar garat dhe janë tanimë gati tre kontrata të reja, që po lidhen për të nisur menjëherë nga puna. Për segmentin Milot-Balldren hapim garën e ndërtimit në vjeshtë. Muriqan-Lezhë është segmenti lidhës me Malin e Zi, për të cilin aktualisht konsulentët e Fondit të Investimeve për Ballkanin Perëndimor po hartojnë projektin paraprak, të cilin pritet ta dorëzojnë në Dhjetor 2023.”

Korridorin Blu, kryeministri Rama e ka konsideruar, yllin në ngjitje i Ballkanit Perëndimor.