RajoniTop Lajme

Liderët me deklaratë të përbashkët pas darkës në Athinë: Ballkani Perëndimor të anëtarësohet në BE

Shpërndaje

Liderët e Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Europian u takuan mbrëmjen e djeshme (21 gusht) në Athinë në një darkë informale të organizuar nga Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis.

Lufta e Rusisë në Ukrainë dhe anëtarësimi i plotë i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian, ishin temat kryesore të darkës.

Liderët vunë theksin te mbështetja e palëkundur ndaj pavarësisë, sovranitet dhe integritetit territorial të Ukrainës, teksa u kërkua përgjegjësi dhe ndëshkim për krimet e kryera gjatë luftës dhe mizoritë tjera mbi civilët.

Po ashtu, darka e cila korrespondoi me 20-vjetorin e Samitit të Selanikut nga ku ishte bërë e qartë perspektiva për anëtarësim të plotë të gjithë Ballkanit Perëndimor, u ritheksua mbështetja për zgjerimin dhe anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe rruga përpara.

Në fund të takimit u miratua edhe një deklaratë e përbashkët e cila bënë thirrje për ri-energjizimin dhe ri-fokusimin në procesin e zgjerimit për anëtarësim në BE; mbështetje të palëkundur për pavarësinë e Ukrainës; ndëshkimin e krimeve të kryera gjatë luftës dhe thirrjen për përgjegjësi ndaj kryerësve të krimeve.

Në këtë darkë ishin të pranishëm edhe Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkovic, Kryeministri i Rumanisë, Marcel Ciolacu, Kryeministri i Bullgarisë, Nikolai Denkov, dhe Presidentja e Moldavisë, Maia Sandu.