Bota

SHBA mbështet Türkiyen në presionin që i bën Rusisë për t’iu ribashkuar Marrëveshjes së Drithërave të Detit të Zi

Shpërndaje

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Matthew Miller, tha se SHBA mbështet Türkiyen në presionin që i bën Rusisë që t’i bashkohet Nismës së Drithërave të Detit të Zi, raporton Anadolu.

Zëdhënësi Miller iu përgjigj një pyetjeje në lidhje me vizitën e mundshme të presidentit rus Vladimir Putin në Türkiye në muajin gusht.

“Unë nuk do të flas për vizitën, në veçanti, përveçse të them një gjë që ne e kemi mirëpritur, e ajo është roli që Türkiye ka luajtur në presionin ndaj Rusisë që t’i bashkohet Nismës së Drithërave të Detit të Zi”, tha Miller.

Presidenti i Türkiyes Recep Tayyip Erdoğan tha javën e kaluar se nuk është caktuar ende një datë për vizitën e presidentit rus, por bisedimet vazhdojnë dhe shpreson që Putin do ta realizojë vizitën në gusht.

“Ata (Türkiye) ishin padyshim shumë konstruktiv, në ndihmimin e arritjes së marrëveshjes për atë iniciativë në radhë të parë dhe ndihmuan në bindjen e Rusisë për të vazhduar me iniciativën”, tha Miller, duke shtuar: “Ata vazhdojnë të luajnë një rol produktiv. Ne mendojmë se është e dobishme që ata të luajnë atë rol”.

Komentet e fundit të presidentit Erdoğan erdhën pas një telefonate me Putinin të mërkurën e kaluar, gjatë së cilës presidenti turk i tha homologut të tij rus se Türkiye do të vazhdojë përpjekjet dhe diplomacinë e saj “intensive” për të rifilluar marrëveshjen e drithërave të Detit të Zi.

Më 17 korrik, Rusia pezulloi pjesëmarrjen e saj në marrëveshjen, të cilën e nënshkroi në korrik 2022 së bashku me Türkiyen, OKB-në dhe Ukrainën për të rifilluar eksportet e drithërave nga portet ukrainase të Detit të Zi, të cilat u ndaluan pasi filloi lufta Rusi-Ukrainë në shkurt të atij viti. Moska është ankuar se pjesa ruse e marrëveshjes nuk po zbatohej.

Türkiye, e vlerësuar ndërkombëtarisht për rolin e saj unik ndërmjetësues midis Ukrainës dhe Rusisë, i ka kërkuar vazhdimisht Kievit dhe Moskës që t’i japin fund luftës përmes negociatave.