Shefi i Wagnerit humb jetën nga rrëzimi i avionit (Pamje)

Shpërndaje

Shefi i grupit të mercenarëve rusë Wagner, Yevgeny Prigozhin, ka humbur jetën nga rrëzimi i aeroplanit në Rusi. Kështu ka bërë të ditur një përfaqësues i aviacionit civil i Rusisë.

Në këtë aeroplan, i cili po fluturonte nga Moska në Shën Petersburg, ndodheshin shtatë pasagjerë dhe tre anëtarë të ekuipazhit. Të gjithë këta, sipas BBC, raportohen të vdekur.

Më herët, një kanal Telegram i lidhur me Wagner-in, Gray Zone, raportoi se aeroplani u rrëzua nga mbrojtja ajrore në rajonin Tver, në veri të Moskës.

Po ashtu sipas Gray Zone, banorët vendas dëgjuan dy zhurma para përplasjes së aeroplanit.

Ndërsa agjencia e lajmeve Tass tha se aeroplani mori flakë duke u përplasur në tokë, duke shtuar se katër trupa tashmë veçse janë gjetur.

Ata kishin qenë në ajër për më pak se gjysmë ore.

******

Në mediat online po qarkullojnë pamjet e avionit të rrëzuar, ku dyshohet se ishte shefi i “Wagnerit”, Yevgeny Prigozhin, ku mbeti i vdekur.

Anton Gerashchenko, këshilltar i ministrit të Jashtëm të Ukrainës, shpërndau pamjet e mbetjeve të avionit së bashku me copa njerëzish.