A ka shkollë që e nisi vitin shkollor pa problem? Ministri lavdërohet, por 1 shtatori nxjerr mangësitë në sipërfaqe!
Në gjimnazin e Kërçovës nuk u dëgjua zilja e parë e këtij 1 shtatori.
Kjo sepse në këtë gjimnaz po bëhen rinovime të cilat kanë filluar që në qershor, por ende nuk kanë përfunduar.
Në gjimnazin “Drita” të Kërçovës mësojnë 537 nxënës në 38 paralele dhe të ndarë në dy turne, por tash nxënësit janë ndarë edhe në dy objekte të për të ndjekur mësimin, disa në hapësirat e ish-universitetit të Tetovës në Kërçovë, ndërsa pjesa tjetër në hapësirat e ish-konviktit.
“I ndamë në dy objekte për shkak e objekti kryesor i gjimnazit “Drita” dhe “Mirko Mileski” është në renovim dhe është jashtë funksionit për zhvillim normal të procesit edukativo arsimor. Renovimi ka filluar që në muajin qershor dhe sipas të gjitha parashikimeve dhe kontratave duhet të zgjasë deri në fund të dhjetorit dhe ne si shkollë duhet që gjysmë vjetorin e dytë ta fillojmë në objektin kryesorë të gjimnazit”, theksoi Festim Ahmeti, drejtori i SHMK“Drita” Kërçovë.
Ministri i arsimit Jeton Shaqiri nga Kumanova u lëvdua se shumë shkolla në këtë fillim vit janë duke u rinovuar dhe janë në fazë përfundimtare, por pa përmendur se ku mësojnë për momentin nxënësit.
“Vitin shkollor e filluam me tekste të reja shkollore të shumta në arsimin fillor dhe të mesëm profesional, filluam me njoftimin e pagave më të larta për mësimdhënësit i cili është rezultat i bashkëpunimi të mirë midis, sindikatës përfaqësueses dhe do të do të realizohet shumë shpejtë, filluam me mbi 15 shkolla të rikonstruara, me disa objekte të reja, disa janë gati dhe disa të tjera janë në fazë përfundimtare”, theksoi Jeton Shaqiri, ministër i Arsimit.
Përndryshe për rreth 250 mijë nxënës të shkollave fillore dhe të mesme sot fillon viti shkollor 2023/2024, i cili me vendim të Qeverisë për herë të parë në vend të 10 qershorit do të përfundojë më 17 qershor. Risi është që përveç pushimit dimëror, nxënësit do të kenë edhe pushim pranveror, që do të fillojë nga 29 prilli dhe do të zgjas deri më 5 maj 2024.