Komandanti i Njësisë Speciale: Krenar me djemtë, më vjen keq për ata që gënjejnë sikur kanë qenë aty

Shpërndaje

Komandanti i Njësisë Speciale, Besart Ahmeti, ka folur plot lavd për pjesëmarrësit në aksionin kundër grupi kriminal në Banjskë të Zveçanit.

“Krenarë me djemtë, pamë djallin në sytë e tyre, i pamë tek u rrëzuan, duke qarë, duke vrapuar, më vjen keq për ata që nuk ia kishin idenë se çfarë kishte ndodhur dhe që po gënjejnë sikur kanë qenë aty”, ka shkruar ai në Facebook.

Polici Afrim Bunjaku u vra, një u plagos e dy u lënduan pas një sulmi terrorist ndaj tyre në Banjskë.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës viziton Manastirin në fshatin Banjskë

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha, i shoqëruar nga zv.komandanti i KFOR-it dhe përfaqësues të EULEX-it, kanë vizituar sot fshatin Banjskë të Zveçanit, përfshirë Manastirin ku para dy ditësh ishin barrikaduar grupi prej 30 personash, e që u shpartalluan nga njësitet e PK-së

“Pas zhvillimeve të fundit të ndodhura në fshatin Banjskë në veri të vendit dhe veprimeve të koordinuara policore në menaxhimin e sigurisë dhe vendosjen e rendit dhe ligjit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha, i shoqëruar nga menaxhmenti i lartë i PK-së, vizituan vendngjarjen në fshatin Banjskë”, ka njoftuar Policia e Kosovës..

Po ashtu gjatë kësaj vizite menaxhmenti i PK-së u shoqëruan me Zëvendës Komandantin e KFOR-it si dhe takuan këshilltarin e EULEX-it për drejtorinë rajonale Mitrovicë veri, me të cilët diskutuan rreth situatës së sigurisë.

Gjatë vizitës në disa lokacione në fshatin Banjskë ata takuan dhe inkurajuan zyrtarët e institucioneve të sigurisë të cilët me përkushtim dhe profesionalizëm po kryejnë detyrat në mënyrë aktive në teren, me qëllim të krijimit të një sigurie më të madhe për të gjithë qytetarët pa dallim.

Njëkohësisht drejtori Hoxha, u interesua rreth ofrimit të sigurisë ndaj qytetarëve nga njësitet policore dhe siguroi që PK-ja do të vazhdojë t’u ofrojë ndihmë qytetarëve sipas nevojave dhe kërkesave të tyre.

Drejtori i PK-së shprehu mirënjohje ndaj zyrtarëve policorë dhe i falënderoi ata për punën e tyre të suksesshme dhe profesionale në menaxhimin e situatës së sigurisë dhe parandalimin e aktiviteteve kriminale dhe terroriste.