RajoniTop Lajme

Kurti bënë homazhe në 25 vjetorin e masakrës në Abri të Epërme të Drenasit

Shpërndaje

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me Ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, Ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, dhe me Zëvendësministrin e Punëve të Brendshme, Blerim Gashani, bënë homazhe në 25 vjetorin e rënjës së familjes Deliu dhe tre dëshmorëve Valdet Xhemajli, Vesel Demaku e Afrim Hajdaraj.

Kurti përkujtojë familjen Deliu, 23 anëtarshe që u masakrua nga forcat e armatosura serbe.

Postimi i plotë:
Malësor ose Malësore. Kështu do ta quante familja Deliu foshnjën që po rritej në barkun e nënës nëpër male.

Por Luljeta Deliun e vranë para se të sillte në jetë foshnjën. Para se ta vrisnin, ia prenë barkun me foshnjën brenda.

Anëtarët e familjes Deliu po strehoheshin në mal, për t’u shpëtuar sulmeve të forcave të Serbisë. Më 26 shtator 1998, këmbësoria e forcave të armatosura serbe hyri në Abri të Epërme dhe masakroi 23 anëtarë të familjes Deliu. Ata i qëlluan në kokë nga afërsia, ua gjymtuan kufomat e disa edhe i dogjën. Mes tyre edhe Luljetën shtatzëne.

Atë ditë u masakrua edhe Mihanja, që më 25 shtator kishte pasur ditëlindjen e 28-të. Atë e vranë, në krah me të birin Valmirin, që kishte biberonin e varur në qafë. Më 21 shtator, Miri kishte mbushur dy vjetë.

E vetmja që u gjetë e gjallë, nën trupin e nënës Lumnije, ishte foshnja gjashtë javëshe, Diturie Deliu. Ajo nuk mbijetoi dhe vdiq më 19 nëntor 1998.

Motrat Antigona dhe Mihanja, 14 dhe 16 vjeçare, nuk u gjetën deri më 4 tetor. Para se të masakroheshin, ishin dhunuar.

Në përvjetorin e 25-të të masakrës në Abri të Epërme të Drenasit, përkujtojmë 23 martirët e familjes Deliu:
Adem Deliu (1965)
Ali Deliu (1930)
Antigona Deliu (1984)
Diturie Deliu (1998)
Donjeta Deliu (1991)
Fazli Deliu (1904)
Gentiana Deliu (1990)
Habib Deliu (1943)
Hajriz Deliu (1964)
Hamide Deliu (1938)
Hava Deliu Elshani (1936)
Hysen Deliu (1946)
Jeton Deliu (1988)
Luljeta Deliu (1971)
Lumnije Deliu (1969)
Menduhije Deliu (1994)
Mihane Deliu (1982)
Mihane Gashani Deliu (1970)
Pajazit Deliu (1929)
Sherif Deliu (1931)
Valmir Deliu (1996)
Zahide Deliu (1967)
Zeqir Deliu (1954)

Këto janë fakte të pamohueshme të krimeve të kryera të Serbisë, të gjenocidit të Serbisë, për të cilat ende nuk ka të dënuar. Andaj u bëjmë thirrje për angazhim organeve tona të drejtësisë.
Në përkujtim të kësaj masakre, së bashku me Ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, Ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, dhe me Zëvendësministrin e Punëve të Brendshme, Blerim Gashani, bëmë homazhe dhe vendosëm lule para përmendores së ngritur në nderim të të vrarëve, ku shkruan: “Gjaku i tyre lot e dhimbje për ne, dritë lirie për atdhe!”

Në këtë 25 vjetor, përkujtojmë tre dëshmorët Valdet Xhemajli, Vesel Demaku e Afrim Hajdaraj, që ranë në betejën e 26 shtatorit 1998, duke mbrojtur popullatën civile.

Lavdi martirëve dhe dëshmorëve të Abrisë!

Lavdi të gjithë të rënëve për lirinë e Kosovës!