Maqedoni

Nxënësit shqiptarë të Velesit sot në protestë, çka po ndodhë?

Shpërndaje

Në gjimnazin “Koço Racin” në Veles sot do të mbahet protestë e nxënësve dhe prindërve shqiptarë, pasi që drejtoria vendosi që të mos pranojë më shumë se 22 nxënës, gjegjësisht vetëm një paralele dhe jo dy siç ishin shpallur me konkurs, përcjell INA.

Mbi 20 nxënësë të tjerë shqiptarë nuk janë pranuar për paralelen e dytë, me arsyetimet e drejtorisë së gjimnazit se nuk i plotësojnë kushtet apo pikët e nevojshme mbi 60 pikë.

Siç mëson INA, këta nxënës dje janë përjashtuar dhunshëm nga shkolla me praninë e policisë dhe sigurimit të shkollës, duke kërkuar që vullnetarisht të tërheqin dokumentet. Përpos kësaj, dje u janë ndërprerë kontratat edhe katër profesorëve shqiptarë të gjimnazit, ashtu që tani ka ngelur vetëm profesoresha e gjuhës shqipe.

Kontratat u janë ndërprerë katër profesorëve shqiptarë të lëndëve: Gjeografi, Kimi, Histori dhe Matematikë.

Prindërit dhe nxënësit shqiptarë kanë dalur në përkrahje të profesorëve të tyre, por sot do të mbajnë protestë për të kërkuar të drejtën e pranimit në gjimnaz,
duke mos qenë viktima të akteve albanofobe. Për këtë diskriminim brutal, për sot (05.09.2023) në ora 13:00 është thirrur protestë e nxënësve dhe prindërve shqiptarë para gjimnazit “Koço Racin” në Veles.

Por si ndodhi që të hapen dy paralele?

Me kërkesën e drejtorisë së këtij gjimnazi drejtuar Ministrisë së Arsimit para shpalljes së konkursit, kjo e fundit kishte dhënë mendim pozitiv për formimin e 5 paraleleve në gjuhën maqedonase dhe 2 paraleleve në mësim në gjuhën shqipe.
Deri tani në Veles ka funksionuar vetëm një paralele me mësim në gjuhën shqipe, por shumica e lëndëve janë zhvilluar në maqedonisht, përpos 5 lëndëve që kishte profesorë shqiptarë. Po ashtu edhe në paralelet e tjera në gjuhën maqedonase, thuajse një e treta e nxënësve janë shqiptarë.

Sipas degës së LSDM-së në Veles, drejtori i gjimnazit Ile Popov që është anëtar i VMRO-DPMNE-së kishte bërë kërkesën në ministri, por që më pas kanë ndryshuar gjërat. Nga LSDM kanë akuzuar se Popov bashkë me kryetarin e komunës, Marko Kolev dhe deputetin Igor Zdravkovski nga radhët e VMRO-DPMNE-së po krijojnë fotografi të rrejshme dhe opinion të rrejshëm se Ministria e Arsimit po dëshiron që të bëj albanizimin e gjimnazit, duke pranuar nxënës shqiptarë me më pak pikë.

“Bëjmë thirrje për përgjegjësi nga personat e lartëpërmendur për ngjarjet aktuale, sepse vetë drejtori ka nënshkruar kërkesën për 2 paralalet në shqip dhe tani bashkë kryetarin e komunës dhe deputetin po gënjejnë dhe po luajnë me ndjenjat e prindërve, profesorëve dhe nxënësve”, theksuan nga LSDM.
Në valën e këtyre zhvillimeve, këshilli komunal i Velesit i përbërë nga VMRO-DPMNE dhe E Majta kanë sjellë një vendim që anulojnë vendimin pozitiv të Ministrisë së Arsimit për hapjen e 2 paraleleve në gjuhën shqipe dhe 5 në gjuhën maqedonase. Kjo shumicë ka konstatuar se duhet të jenë vetëm 4 paralele në gjuhën maqedonase dhe 1 në gjuhën shqipe.

Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Igor Zdravkovski ka akuzuar se Ministria e Arsimit dhe Drejtoria e Inspektoratit të Arsimit, që nënkuptohet se udhëhiqen nga kuadro shqiptare kanë bërë presione për këto vendime të pabazuara dhe se sipas tyre kanë shkaktuar revoltë tek profesorët dhe prindërit. Ai në këtë rast ka akuzuar ministrin Jeton Shaqiri dhe drejtorin e Inspektoratit, Halit Ferati.

Zdravkovski tha se ata me çdo kusht duan dy paralele në gjimnaz dhe një në ekonomi , dhe të pranohen nxënës me më pak pike. Deputeti i partisë opozitare, por që në Veles udhëheqin me komunën pretendon se nuk kanë shkelur ligjin, edhe pse LSDM tha se ata kanë bërë taktizime brutale duke nxitur probleme dhe tensione të panevojshme.

Largimi i profesorëve shqiptarë është bërë për ti siguruar oraret e orëve për profesorët maqedonas në këtë shkollë, pasi që çdo vit zvogëlohet numri i paraleleve me mësim në gjuhën maqedone dhe profesorët rrezikojnë të shkojnë si tepricë teknologjike për shkak të mungesës së nxënësve.
Këtë vit në gjimnazin “Koço Raçin” janë pranuar 84 nxënës në paralelet me mësim në gjuhën maqedone për 4-5 paralele. Informacionet flasin se në paralelet me mësim në gjuhën maqedonas janë regjistruar afër 10 nxënës shqiptarë.(INA)