Pamjet e para të serbëve që hapen tunelin për në depon e Gjykatës së Lartë në Mal të Zi
Redaksia e portalit malazez, “Vijesti” ka siguruar një video të njërës prej kamerave të vëzhgimit, ku shihen të dyshuarit për hapjen e një tuneli që të dërgon në depon e Gjykatës së Lartë në Podgoricë.
Tuneli nëntokësor, 30 metra i gjatë, nga bodrumi i një banesë në qendër të Podgoricës deri në depon e Gjykatës së Lartë, u zbulua më 11 shtator.
Ministri i Punëve të Brendshme, Filip Axhiq, tha më herët gjatë ditës së sotme se tuneli për në depon e Gjykatës së Lartë është hapur kryesisht nga shtetas të Serbisë, të cilët janë identifikuar dhe se kanë pasur ndihmën edhe të shtetasve nga Mali i Zi.
Në konferencën e sotme për media, Axhiq ka zbuluar edhe fotot e tyre. Ministri tha se pamjet zbulojnë se Veljko Markoviq (32), Milan Markoviq (53), Dejan Jovanoviq (30) dhe Vladimir Eriq (32) nga Serbia kanë marrë pjesë në krim.
Ai ka thënë se të dyshuarit janë larguar nga Mali i Zi më 11 shtator, gjegjësisht ditën kur u zbulua se ishte bastisur depoja e gjykatës më të lartë në Podgoricë.
Ndryshe, në depon e Gjykatës së Lartë, përveç dosjeve gjyqësore, mes së cilave ka prova për vepra të ndryshme penale, ka edhe rreth nëntë tonë e gjysmë lëndë narkotike të konfiskuara, nga të cilat rreth dy tonë janë kokainë dhe rreth shtatë tonë marihuanë. /Telegrafi/