Shqipëria drejton debatin në KS të OKB
Menjëherë pas marrjes së detyrës, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani ka kryesuar në Nju Jork një debat të Hapur të Nivelit të Lartë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së mbi “Nxitjen e Partneritetit Publik-Privat në trajtimin e çështjeve humanitare”, e cila është një nismë e Shqipërisë.
“Rreth 300 milionë njerëz janë në nevojë të madhe dhe shumë prej tyre zgjohen duke mos ditur nëse dhe kur do të hanë vaktin e tyre të ardhshëm. Nëpërmjet Aleancës, ne synojmë të angazhojmë korporata dhe filantropi, së bashku me agjencitë kryesore të OKB-së dhe shoqërinë civile, për të shënuar dhe mbledhur të gjithë përshtypjet dhe komentet mbi boshllëqet kryesore dhe fushat për përmirësim në reagimin ndaj krizave”.
Ky debati i Hapur i Këshillit të Sigurimit të OKB-së synon të identifikojë dhe avancojë zgjidhje të partneritetit publik-privat në promovimin e paqes dhe sigurinë ndërkombëtare.
Kjo sipas ministrit Hasani do të adresojë nevojat aktuale dhe të ardhshme humanitare, të cilat, nëse nuk kontrollohen, kërcënojnë të shkaktojnë paqëndrueshmëri të mëtejshme në rajonet e cenueshme dhe të përshkallëzojnë konfliktet.