S’ka vendim për shtyrjen e afatit për lirimin e objektit në veri/ Policia: Komuna s’ka kërkuar asistencë
Në objektin kryesor të strukturave paralele në Mitrovicën e Veriut, situata vazhdon të jetë e qetë. Punëtorë të këtyre strukturave po qëndrojnë brenda objektit.
Deri më tani, edhe pse ka përfunduar afati për lirimin e objektit, nuk janë parë pjesëtarë të forcave policore.
Ndërkaq, pranë objektit po qëndrojnë pjesëtarë të KFOR-it. Zëvendësdrejtori i Policisë në Mitrovicën e Veriut, Veton Elshani tha se komuna nuk ka kërkuar ende asistencë për largimin e strukturave paralele serbe nga objekti që ndodhet në Lagjen e Boshnjakëve.
Ai tha para mediave se janë të gatshëm qe të ofrojnë asistencë, pavarësisht orës.
“Është e vërtetë që herën e kaluar e kemi pasur një kërkesë për asistencë dhe ne kemi qenë të gatshëm të asistojmë. Kësaj radhe deri në këtë moment kur flas me juve nuk kemi kërkesë për asistencë. Sidoqoftë ne jemi të përgatitur që në qoftë se kërkohet asistenca, ne ta ofrojmë të njëjtën. Ne nuk e kemi problem, sepse kemi krijuar përvojë tash në pjesën veriore për intervenime. Por nuk ka pasur një kërkesë të tillë”.
Ai shtoi se nuk ka njohuri për ultimatumin që i është dhënë nga komuna këtyre strukturave.
“Nuk kemi njohuri se çfarë ultimatumi ka pasur, deri kur kanë pasur afat komuna, në çfarë kohë kanë dhënë afat. Ne nuk e kemi atë informatë. Atë çka e di është se në momentin që nga ana jonë do të kërkohej asistenca ne jemi të gatshëm ta ofrojmë”.
Ai para mediave foli edhe për aksionin e njësive policore në një fabrikë, në afërsi të Zubin Potokut.
“Normaliteti është duke u kthyer sa i përket institucioneve, agjencive të ndryshme në veri të Kosovës. Ne kemi asistuar AKP-në, e kemi asistuar sot. Nuk është diçka e jashtëzakonshme kjo. Ne kemi pranuar një kërkesë për asistencë nga ana e AKP-së, para disa ditëve dhe ne sot kemi ofruar asistencën tonë. Kanë qenë njësitë e veriut që kanë asistuar në atë vend…Sipas AKP-së, ata kanë pronë aty dhe kanë shkuar të vizitojnë pronën e vet dhe të evidentojnë disa pajisje që janë aty. Në fakt është hera e dytë që kemi ofruar asistencë në atë vend aty, sepse herën e parë kur kanë shkuar ka, qenë e mbyllur dhe sot kanë kërkuar ta hapin me forcë. Ajo është hapur dhe verifikuar nga ana e AKP-së dhe është kryer procedura me ta”.
Elshani nuk ka dhënë detaje sa i përket hetimeve në rastin ku është gjetur armatim para disa ditëve, me arsyetimin se nuk duan ta dëmtojnë procesin e hetimeve.
Top Channel