Erdoğan apelon te liderët e G20-tës të marrin iniciativën për zgjidhjen me dy shtete të konfliktit Izrael-Palestinë
Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, u ka bërë thirrje liderëve të G20-tës që “të ndërmarrin një iniciativë në realizimin e një zgjidhjeje me dy shtete” për të zgjidhur konfliktin e vazhdueshëm Izrael-Palestinë, raporton Anadolu.
Duke folur në samitin virtual të liderëve të G20-tës të organizuar nga India, presidenti Erdoğan tha se “tragjedia që po shpaloset në tokat e pushtuara palestineze, veçanërisht në Gaza, ka tejkaluar kufijtë e tolerancës së njerëzimit”.
Erdoğan përsëriti se Türkiye është e gatshme të marrë një rol, përfshirë si garantues, me vendet e tjera, në një strukturë të re të mundshme të sigurisë në konfliktin Izrael-Palestinë.
“Asgjë nga ajo që po ndodh (në Gaza) nuk mund të shpjegohet me të drejtën e vetëmbrojtjes. Krimet e luftës janë krime kundër njerëzimit që po kryhen qartë atje”, tha Erdoğan.
Presidenti turk gjithashtu u shpreh se “siç do ta pranojë kushdo që ka ndërgjegje, asgjë nga kjo që po përjetohet nuk mund të shpjegohet me të drejtën për t‘u vetëmbrojtur”.
Izraeli ka nisur sulme të pamëshirshme ajrore dhe tokësore në Rripin e Gazës pas një sulmi të Hamasit më 7 tetor, duke vrarë të paktën 14.128 palestinezë, përfshirë 5.840 fëmijë dhe 3.920 gra.
Mijëra ndërtesa, duke përfshirë spitale, xhami dhe kisha, gjithashtu janë dëmtuar ose shkatërruar nga sulmet ajrore dhe tokësore të Izraelit në enklavën e rrethuar.
Ndërkohë, numri zyrtar i vdekjeve izraelite është rreth 1.200.
Mbrëmë, Izraeli dhe Hamasi njoftuan një marrëveshje për pauzë humanitare, e cila përfshin shkëmbimin e pengjeve dhe të të burgosurve.
Sipas marrëveshjes, të ndërmjetësuar nga Katari, Egjipti dhe SHBA-ja, 50 izraelitë të mbajtur nga Hamasi do të lirohen në këmbim të 150 të burgosurve palestinezë në burgjet izraelite.
Marrëveshja lejon një zgjatje të pauzës dhe lirimin e mundshëm të më shumë fëmijëve dhe grave të mbajtura nga të dy palët.