Kryetari i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq i shkon në zyrë kryetarit të Komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi

Shpërndaje

Kryetari i Komunës së Mitrovicës Veriore, Erden Atiq, ka bërë të ditur se e ka vizituar sot kryetarin e Komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi, transmeton ALBAZONE MEDIA.

Atiq ka shkruar se kanë pasur një diskutim produktiv dhe se kanë rënë dakord që ta intensifikojnë bashkëpunimin për të përmirësuar mirëqenien e qytetarëve.

“Kryetari i Komunës së Mitrovicës Veriore, Erden Atiq ka vizituar sot kryetarin e Leposaviqit z. Lulzim Hetemi. Gjatë diskutimit produktiv, ata ranë dakord të intensifikojnë bashkëpunimin dhe të punojnë së bashku për të përmirësuar mirëqenien e qytetarëve”, ka shkruar Atiq.

Atiq dhe Hetemi kanë dalë kreytar komunash nga një proces i rregullt zgjedhor, megjithatë atyre në vazhdimësi iu është kontestuar legjitimiteti për shkak të daljes tepër të vogël në zgjedhjet lokale për 4 komunat veriore.

Veriu pritet të shkojë në zgjedhje të reja dhe “Lista Serbe” ka konfirmuar se do të marrë pjesë. Megjithatë mbetet e paqartë se si do të procedohet me udhëzimin administrativ për çështjen e shkarkimit të kryetarëve të zgjedhur, pasi sulmi në Banjskë ka ndryshuar jashtëzakonisht situatën dhe rrjedhen e ngjarjeve.