Kurti: Kam dërguar vërejte për draftin e Asociacionit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se ka dërguar vërejte për draftin e Asociacionit të prezantuar nga euro-amerikanët, më 21 tetor.
Shefi qeveritar, gjatë vizitës së tij në rajonin e Dukagjinit, nuk pranoi të jep detaje për takimin e djeshëm të zëvendësit të tij, Besnik Bislimi me emisarin e BE-së për dialogun, Mirsolav Lajçak.
Ai para gazetarëve tha se drafti i modernizuar për Asociacionin, është më i avancuar se marrëveshja e vitit 2013.
“Për hir të konfidencialitetit të draftit, unë nuk mund të flas për vërejtjen dhe kritikat e mija. Ato janë shumë të rëndësishme, ia kam përcjellur emisarit evropian përmes zëvendëskryeministrit, Besnik Bislimi, më 24 tetor, dy ditë para se të takohemi në Bruksel. Ky është draft krejt tjetër pakrahasimisht më i avancuar por kjo s’do të thotë se ne jemi të kënaqur, andaj unë kam dërguar vërejtjen”, theksoi ai.
Kurti u pyet edhe për pakënaqësitë e dy njësiteve të specializuara të Policisë së Kosovës, të cilët sot kishin paraparë sërish një protestë, por që e cila u pezullua.
Kreu qeveritar tha se kanë investuar mjaft shumë për zvogëlimin e rrezikshmërisë për policët, mirëpo do të takojë të njëjtit për të parë sesi të vazhdohet tutje.
“Ne jemi të interesuar të zvogëlojmë rrezikshmërinë për policinë tonë, por kjo zvogëlohet pikërisht duke investuar në pajisje dhe mjete pune. Dallimi në investime sa i përket mjeteve të punës dhe pajisjeve që ulin rrezikshmërinë për policinë tonë sivjet është 21 herë më i lartë sesa para dy vjetëve. Në vitin 2021 investimi ka qenë më pak se gjysmë milioni euro sivjet është mbi 9 milionë euro. Rrjedhimisht ne po investojmë shumë për zvogëlimin e rrezikshmërisë për policinë tonë. Patjetër se unë do t’i takojë dhe kontaktojë për të shohur se çka më tutje. Por të keni parasysh se të njëjtën kohë unë e kam dhënë qëndrimin se ka shtesa jashtë orarit, shtesa për rrezikshmëri dhe se do të ketë investime të vazhdueshme për policinë tonë”, theksoi Kurti.
Emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë. Dje ai takoi kryenegociatorin kosovar, Besnik Bislimi, derisa sot priti në takim liderët opozitarë dhe disa prej ambasadorëve të akredituar në Kosovë.