Kurti: Kosova s’mund të jetë shtet i së drejtës në kuptim të plotë pa u zbardhur rasti i Deharit

Shpërndaje

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se edhe pse pas shtatë vjetësh që nga vdekja e aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, Kosova ka shënuar progres në demokraci, liri e sundim të ligjit, nuk mund të jetë shtet i së drejtës pa u zbardhur ky rast.

Nëpërmjet një postimi në Facebook në përvjetorin e shtatë që nga vdekja e Deharit, Kurti ka thënë se ky rast duhet të trajtohet me urgjencë.

“7 vjet prej kur morëm lajmin e kobshëm se shokun tonë, aktivistin e Lëvizjes, studentin shembullor të mjekësisë, Astrit Deharin, e kanë mbytur në burgun e Prizrenit. 7 vjet më vonë Kosova ka shënuar progres sa i përket demokracisë e lirisë e sundimit të ligjit mirëpo Kosova nuk mund të jetë shtet i së drejtës në kuptimin e plotë pa u zbardhur rasti i Astrit Deharit e raste të tjera, dhe pa u dënuar përgjegjësit e krimit. Drejtësia, prokuroria, gjyqësori duhet t’i trajtojnë me urgjencë padrejtësitë dhe krimet në vendin tonë e kurrsesi t’i zvarrisin ato me muaj e me vite”, ka shkruar Kurti.