Lloga: Të jap ide të reja kush ishte kundër amnistisë
Fakti që nuk kaloi pr/ligji për amnisti e vështirëson më tepër gjendjen nëpër burgje, vlerëson ministri i drejtësisë Krenar Lloga për TVM2, pasi aktualisht 2100 persona janë në burgje kurse 2800 persona kanë vendime të plotfuqishme gjyqësore që të vuajnë dënimin me burg. Ai ftoi ata që nuk votuan këtë ligj të japin propozimet e tyre për dalje nga kjo situate.
“Fakti që nuk kaloi kjo e vështirëson edhe më tepër punën. Unë i jam drejtuar presidentit të shtetit nëpërmjet Këshillit të Sigurisë që ai të shqyrtojë masën e asaj që po ndodh në realitet nëshoqëri të hapur, jo vetëm të atyre që janë në burgje, se çfarë po ndodh me ato 2800 që janë jashtë burgjeve, a ka masa të mbikqyrjes mbi këto, a i kontrollon policia apo organet tjera të sigurisë. Besoj se pas adresimit në Këshillin për Siguri të presidentit, atëherë të gjithë ato që kanë qenë kundër këtij ligji do të duhet të japin propozimet e veta, se si të dalim nga kjo situatë”, u shpreh ministri i drejtësisë Krenar Lloga.
Sa i përket fërkimeve me Këshillin Gjyqsor, Lloga theksoi se do të jetë në një luftë të hapur me këtë institucion deri në reformimin e plotë të tij. Ai ekluzivisht për TVM2 tha se këtë javë do të formohet një grup pune që për qëllim do të ketë reformimin e Këshillit Gjyqësor.
“Do të formojmë një grup pune në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, i cili do të merret me reformimin e Këshillit Gjyqësor. Unë kam kërkuar që pjesa e gjykatësve që është me numër tetë të mund të vetrregullohet, nëpërmjet organizatës së tyre të gjyqtarëve në vend, kurse pjesa tjetër që zgjidhet nga Kuvendi në mënyrë të drejtëpërdrejtë, poashtu të mund të zgjidhet nga Kuvendi dhe rregullimi të bëhet sipas ligjit. Besoj se ekspertët më të mirë do të marrin pjesë në të, dhe do të jepet zgjidhja më e mirë ligjore dhe do të kemi një Këshill Gjyqsor të reformuar dhe funksional”, theksoi Lloga.
Lloga hedh poshtë atë se ligji për amnisti do të bëhet shkaktar për prishjen e ASh-së me partnerët e koalicionit qeverisës, duke theksuar se edhe më herët Aleanca nuk ka votuar në lidhje me ndryshimet në Kodin Penal, që ishte propozim i Qeverisë, por nuk ka pasur hatërmbetje.