Mjekët në Maqedoni apel për kujdes: Fëmijët, përdorues të rregullt të pijeve energjike

Shpërndaje

Edhe pse ligji në Maqedoninë e Veriut e ndalon shitjen e pijeve energjike për personat nën 18 vjeç, fëmijët mund që lirisht t’i blejnë ato nëpër dyqanet afër shkollave fillore.

Edhe përkundër paralajmërimeve të mjekëve pediatër mbi rrezikun që ju kanoset fëmijëve që konsumojnë nga këto pije, së fundmi dhe reagimin e Institutit për Shëndet Publik sa i përket përdorimit të pijes “Prime Hydration Drink”, ku kërkohet që konsumimi i fëmijëve të jetë i kufizuar dhe kontrolluar nga prindërit, trendi i përdorimit të këtyre pijeve është ende i madh.

Për gazetën Koha pediatrja Ferihan Bajrami foli mbi rrezikun që ju kanoset fëmijëve nga përdorimi i këtyre pijeve ku sipas saj, për shkak të sasisë së lartë të kafeinës të cilën e përmbajnë këto pije mund të vijmë deri tek vdekja.

“Si përbërës kryesor këto pije e kanë sheqerin dhe kafeinën e cila mund të çojë deri në vdekje nëse përdoret me të madhe ose edhe nëse mbi-dozohet mund të çojë deri në sulm në tru, ndërsa nga ana tjetër, sheqeri sjell deri tek obeziteti si dhe mundësia e paraqitjes së diabetit”, u shpreh Bajrami.

Sipas saj, përmbajtja e lartë e kafeinës mund të shkaktoj edhe pagjumësi, varësi, palpitacione të zemrës, jo-stabilitet emocional tek fëmijët, dhe dehidrim për shkak të hiper-aktivitetit.

“Dëmtime në mëlçi, në të shumtën e rasteve konvulsione, goditje në tru si dhe vdekje, sidomos për fëmijët që kanë sëmundje kronike simptomat janë edhe më të shpeshta, pasi përveç kafeinës këto pije përmbajnë edhe taurina, L-karnitina, guarana e ëmbëlsira të ndryshme”, theksoi ajo.

Bajrami vlerëson gjithashtu se mosha më e ekspozuar ndaj këtyre pijeve janë moshat nga 10 deri në 18 vjeç, sidomos ato të gjinisë mashkullore.

“Rekomandimi im është që përdorimin e këtyre pijeve ta lënë edhe prindërit pasi për fëmijën prindi është pasqyra që e sheh, dhe nisur nga kjo ata duhet të japin shembull tek fëmijët”, theksoi Bajrami.

Në një analizë të Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari të publikuar në vitin 2022 thuhet se në një periudhë pesë mujore në Maqedoninë e Veriut janë importuar 2.200.000 pije energjike, ku Golden Eagle e ka importin më të madh, me gjithsej 940.000 kanaçe. Se a janë në të vërtet të dëmshme pijet e tilla, sipas një studimi të kryer në Madrid, konsumimi masiv i këtyre pijeve mund të ndryshojë sistemin endokrin dhe të shkaktojë vdekje të papritur kardiake në të gjitha moshat, edhe nëse jeni plotësisht të shëndetshëm, pikërisht për shkak të kafeinës që përmban./Koha/