Në Maqedoni, drejtor bëhesh me diplomë partiake dhe jo të universitetit
Diploma partiake në Maqedoni vlen më shumë se një diplomë Harvardi. Mjafton të kësh lidhje me të fortin e partisë dhe për një kohë të shkurtër emërohesh drejtor, zv/drejtor apo në ndonjë postë tjetër të rëndësishëm. Në këtë shtet mund të udhëheqës sektor dhe drejtori të rëndësishme që nuk kanë të bëjnë fare me kualifikimet tuaja, qoftë edhe pasdiplomike.
Sipas evidencës së fundit për personat e papunë, në Agjencinë për Punësim si të papunë janë të regjistruar 623 magjistër të shkencave, si dhe 19 doktorë shkencash. Ka edhe shumë që kualifikimet e tyre nuk i kanë paraqitur tek Enti për Punësim.
Punësimi nëpërmjet lidhjeve partiake, miqësore dhe lidhjeve të vjetra të periudhës së kaluar, por edhe nëpërmjet dhënies së ryshfetit, është një realitet që vazhdon të jetë i pranishëm në Maqedoni.
Administrata shtetërore dhe institucionet e ndryshme janë të stërmbushura nga individë të tillë, shumica të papërgatitur dhe tejet inferior për të kryer detyrën që e obligon vendi i punës. Këtë e dëshmojnë edhe të dhënat statistikore dhe hulumtimet e organizatave joqeveritare brenda dhe jashtë vendit.
Një numër i madh i të rinjve, regjistrohen në fakultete, mbarojnë studimet, bëjnë master, doktoraturë, por sërish mbeten nën mëshirën e partive politike, varësisht cila prej tyre është në pushtet. Por, ata sërish mbeten të mashtruar në rrugë dhe pa fatin e përcaktuar në planin profesional.
Faktori kryesor për të gjetur një punë është libreza partiake, e jo diploma e universitetit apo titujt e arritur shkencor. Shumica e të rinjve theksojnë se janë pengje dhe viktima të kësaj sindrome, për pamundësinë e tyre për punësim në profesion, raporton agjencia e lajmeve INA.