Rama: Çështja Kosovë-Serbi të zgjidhet përfundimisht me njohjen e plotë

Shpërndaje

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, insiston në zgjidhjen e plotë mes Kosovës dhe Serbisë që rajoni i Ballkanit Perëndimor të jetë më mirë.

Duke folur në Këshillin e Atlantikut, Rama e konsideroi këtë çështje si një “elefant brenda dhomës” që vazhdon të krijojë probleme, sikurse edhe rasti i para disa muajve në Banjskë.

“Kemi sfida që shtrihen përpara nesh dhe në të njëjtën kohë jam një person që beson fort te fakti që nuk mund të mendosh të jesh më mirë në këtë rajon pa menduar të bësh një rajon më të mirë sepse në këtë botë kaq të ndërlidhur na duhet të mësojmë e të punojmë me bindjen e fortë se ajo çfarë na duhet të bëjmë është si përmirësimi i vendit tonë, rajonit dhe i botës. Kemi probleme për t’u zgjidhur, kemi ende një elefant të madh në dhomë që ende nuk na jep atë pjesëzën e fundit që është njohja reciproke midis Kosovës dhe Serbisë, dhe më shumë se sa një herë kjo copëz politike më e vështira deri më sot në rajon ka treguar se është vërtetë domosdoshmëri, në të kundërt ka ndodhur kthime hapa pas e mangësira të cilat do vazhdojnë të ndodhin. Në kontekstin më të gjerë, të agresionit rus në Ukrainë dhe luftën midis Izraelit dhe Hamasit, efektet mund të jenë edhe më negative nëse nuk punojmë natë e ditë për ta mbajtur konfliktin jashtë kufijve të rajonit tonë”, është shprehur ai.

Kryeministri Rama bën apel që çështja mes Prishtinës dhe Beogradit të zgjidhet përfundimisht me njohjen e plotë të pavarësisë së Kosovës dhe vendosjen e paqes.

“Ne jemi një rajon shumëfetar. Shqipëria është një vend shumëfetar, ku myslimanët e të krishterët jetojnë në harmoni dhe deri më tani ky ka qenë aseti ynë fantastik si një bazë për një shoqëri tolerante. Ja pse besoj pse lufta midis Izraelit dhe Hamasit është vërtetë e rrezikshme, sepse Hamasi dhe të tjerë që e mbështesin Hamasin janë agjentë të vërtetë kaosi dhe ky kaos që duan ta përhapin kudo jo vetëm në Lindjen e Mesme, mundet të ndikojë edhe rajonin tonë në qoftë se nuk jemi plotësisht të vetëdijshëm për këtë dhe nëse nuk bëjmë gjërat në mënyrën e duhur për ta mbajtur kaosin jashtë para se konflikti të na përfshijë të gjithëve. Kjo situatë që është përmirësuar shumë, që deri 10 vjet më parë ne nuk flisnim as me njëri-tjetrin, duhet të trajtojë e të zgjidhë këtë çështje midis Kosovës dhe Serbisë me një njohje të plotë të Kosovës dhe praktikisht me paqen përfundimtare. Ajo çfarë ndodhi në ngjarjen tejet tragjike pak muaj më parë, ishte absolutisht një shenjë shumë e fortë dhe një kambanë e mirëfilltë alarmi e potencialit që ka një çështje e tillë e pazgjidhur për t’u bërë një çështje vendimtare në rrezikimin e paqes dhe bashkëpunimit rajonal. Është shumë e qartë përgjegjësia jo vetëm e personave të përfshirë drejtpërdrejt, por edhe përgjegjësi e Beogradit i cili nuk e dënoi, por shpalli ditë zie kombëtare në nder të këtyre kriminelëve. Megjithatë, edhe njëherë, duhet të mos biem pre e konfrontimeve, përshkallëzimeve, por të trefishojmë përpjekjet për të bërë paqe”, ka thënë më tej Rama.

Rama përgëzoi edhe Kryeministrin Kurti dhe Qeverinë e Kosovës për qasjen e re duke pranuar asociacionin e komunave me shumicë serbe.

“Jam i inkurajuar nga ndryshimi në qasjen dhe qëndrimin e autoriteteve të Kosovës dhe duke pranuar në parim asociacionin e komunave me shumicë serbe, Kryeministri i Kosovës dhe qeveria e Kosovës kanë dëshmuar vullnet të rëndësishëm për të ecur përpara dhe për të kërkuar zgjidhje e jo alibi apo për të kërkuar të shkuarën në vend të së ardhmes”. /KlanTV