RajoniTop Lajme

Rama kërkon shtimin e forcave të KFOR-it në veri: Kufiri jashtë kontrollit

Shpërndaje

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka kërkuar sërish nga NATO-ja që të shtojë forcat në kufirin Kosovë-Serbi. Sipas tij, kufiri është jashtë kontrollit e kërkesën e tij e ka përkrahur presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq. Të mërkurën në Shkup, shefi i NATOS-s, Jens Stoltenberg, mblodhi liderët e vendeve anëtare të aleancës nga rajoni
Në përfundim të turit në Ballkanin Perëndimor, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, të mërkurën mblodhi në Shkup liderët e katër vendeve të këtij rajonit që janë pjesë e aleancës.

Nga aty liderët kërkuan që NATO-ja të ketë vëmendje dhe bashkëpunim të shtuar për të parandaluar konfliktet e mundshme, e kryeministri i Shqipërisë përsëriti kërkesën për shtimin e numrit të pjesëtarëve të KFOR-it përgjatë kufirit Kosovë – Serbi.

Sipas tij, ngjarje si ajo e 24 shtatorit, kur një grup serbësh sulmoi policinë në Banjskë, nuk bën të përsëriten.

“Për këto arsye theksova edhe sot në takim domosdoshmërinë e rritjes së numrit të Forcave të NATO-s në Kosovë. Dhe domosdoshmërinë për të garantuar kufirin mes Kosovës dhe Serbisë, i cili faktikisht është jashtë kontrollit”, ka thënë Rama.

Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, tha se propozimi i Ramës duhet të shqyrtohet nga NATO-ja.

E shefi i NATO-s, Stoltenberg, theksoi se numri i pjesëtarëve të KFOR-it është rritur tashmë që prej sulmit në Banjskë.

“Në Kosovë ne kemi rritur praninë tonë me 1000 mijë trupa shtesë gjithashtu me armatime të rënda. Sigurisht jemi vigjilent, ne monitorojmë nga afër situatën, dhe bëjmë krejt çfarë është e nevojshme për të mbrojtur e siguruar aleatët tanë. Megjithatë kjo ka të bëjë më shumë se si duhet të punojmë me partnerët tanë në rajon”, ka deklaruar Stoltenberg.

Ndërkohë nikoqiri i këtij takimi, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaqevski, e konsideroi të rëndësishëm rolin dhe partneritetin që ka ky shtet me NATO-n në parandalimin e konflikteve.

“Të dhënat e sigurisë që ne marrim në kuadër të NATO-s, ndarja e këtyre informacioneve me shërbimet e sigurisë, dhe vendet anëtare të NATO-s, ne i kemi nga mekanizmat më të zhvilluar të sigurisë, në raport me individët që kërkojnë të trazojnë shkallën e sigurisë në çdo anëtar të NATO-s, edhe në këtë rajon apo brenda në vend”, ka thënë Kovaqevski.

E kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiq, tha se vendi i tij nuk ka asnjë problem me fqinjët.

Stoltenberg gjatë turit të tij në Ballkan qëndroi edhe në Kosovë. Atij, nga udhëheqësit institucionalë iu kërkua që Kosova të përfshihet sa më parë në programin Partneriteti për Paqe, si kusht për paqe e stabilitet të rajonit.